Konjufca pas anulimit të disa vendimeve të tij: Avdullah Hoti është i shantazhueshëm nga PAN-i

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka reaguar pas anulimit të disa vendimeve nga pasardhësja e tij, Meliza Haradinaj – Stublla.

KALLXO.com raportoi sot se Haradinaj – Stublla ka anuluar vendimet mbi procesin e rotacionit diplomatik. Në mesin e vendimeve është edhe pezullimi për kthimin e konsujve dhe shefave të misioneve.

Konjufca përmes një shkrimi ka deklaruar se vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti, pra anulimi i vendimit për kthimin e konsujve, tregon për “orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së”.

Ai thotë se Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e NISMA e që sipas tij, Hoti e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër.

“Edhe vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70%. Ligji thotë që duhet të jenë në 50%”, ka shkruar ai në “Facebook”.

“Vendimi i sotshëm i Qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vërtet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes”, tha Konjufca duke shtuar se këto vendime “kriminale” të Qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të mbahen zgjedhjet për të cilat thotë se janë afër.

KALLXO.com ka kontaktuar sot gjatë ditës me shefin i kabinetit të ish-ministrit Glauk Konjufca, Kreshnik Ahmeti, i cili ka thënë se ministrja Haradinaj0 Stublla ka anuluar vendimet mbi procesin e rotacionit diplomatik.

Ahmeti ka thënë se nga mediat janë informuar se në mesin e vendimeve është edhe pezullimi për kthimin e konsujve dhe shefave të misioneve.

“Nga mediat u informuam që janë anuluar vendimet për largimin e 14 personave që paligjshëm mbanin pozitat e konsujve dhe propozimi që i është dërguar Presidentit për lirimin nga detyra të shefave të misioneve, të caktuar nga çelësi politik, e që po vazhdojnë përtej mandatit të ligjshëm siç parashihet nga neni 7.8 i Ligjit Nr. 03/L-207”, ka thënë Ahmeti.

Duke iu referuar një vendimi që ka qarkulluar në media e të cilin e posedon edhe KALLXO.com, Ahmeti ka thënë se bëhet fjalë për rotacionin diplomatik.

“Nga një vendim i cili po qarkullon në media kuptohet që bëhet fjalë edhe për vendimet mbi procesin e rotacionit diplomatik, i cili parashihet me nenin 22 dhe 23 të Ligjit Nr. 03/L-207, me ç’rast diplomatët të cilët kanë përmbushur misionin 4 vjeçar, kthehen për t’u angazhuar në MPJD para se të shkojnë në misionin e radhës”, ka thënë ai.

Ish-shefi i kabinetit të Konjufcës ka thënë se shtyrja pa afat e mandatit të diplomatëve nga ana  e ministres Meliza Haradinaj- Stublla është praktikë e dëmshme  për shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

“Duhet ta kemi parasysh që në ato vendime ka diplomatë të cilët qëndrojnë në misione për 9 vite pa ndërprerje, përderisa parashihet që një diplomat të qëndrojë në mision për 4 vite dhe pastaj të kthehet për t’u angazhuar në MPJD në Republikën e Kosovës. Nga vendimet e tilla, sikurse në të kaluarën, Shërbimi i Jashtëm është shndërruar në hapësirë për rehatim familjar e partiak dhe e tërë kjo ndodhë përderisa Republika jonë gjendet në pozitën më të vështirë të subjektivizimit të saj ndërkombëtar, që nga shpallja e pavarësisë”, ka thënë ai.

KALLXO.com siguruar vendimin në fjalë të ministres si dhe  ka kërkuar informacione nga ministrja e Punëve të Jashtme, Haradinaj-Stublla, mirëpo e njëjta nuk i është përgjigjur pyetjeve deri në momentin e publikimit të këtij teksti.

Më 3 mars Konjufca kishte propozuar tërheqjen nga misionet diplomatike të shtatë ambasadorëve: Vlora Çitaku (ShBA), Edon Cana (Bullgari), Lirim Grejçevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Mimoza Ahmetaj (Strasburg), Ylber Hysa (Mali i Zi), Ramadan Avdiu (Zvicër), për shkak të përfundimit të mandatit.

Ndërsa më 2 prill, Konjufca përmes një letre i ka kërkuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi që ta tërheqë nga misioni diplomaten Fatmire Musliu, e cila mban gradën Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt të Gjermanisë.

Më 20 shkurt ish-shefi i diplomacisë kosovare Glauk Konjufca  përmes një vendimi kishte shkarkuar edhe 14 konsuj.

KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Zyra e Presidentit për kërkesat e ish-ministrit Konjufca, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje.