Foto: KALLXO.com

Konjufca: Njeriu kryesor i drejtësisë e ka dosjen e kriminelëve në veri, por nuk po ndërmerr asgjë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se ka informata të sakta që njeriu kryesor i drejtësisë në Kosovë e ka dosjen e plotë të personave të krimit në veri të vendit, që nga shtatori i vitit të kaluar.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini Konjufca tha se pavarësisht kësaj ai ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

I pyetur se për kë e ka fjalën, Konjufca tha “ai që po don me qenë në krye të drejtësisë”, pa përmendur emër.

“Që 15 muaj e ka në tavolinë dosjen voluminoze me krejt emrat, me krejt fotografitë, me krejt incizimet e personave të cilët janë kryesorët që e bëjnë organizimin e krimit në pjesën e veriut të Kosovës” – tha Konjufca.

I pari i Kuvendit tutje tha që me ata që bëjnë veprime të tilla, e që i kundërvihen autoritetit, ligjit e shtetit nuk zgjidhet puna vetëm me polici.

“Këtu duhet me funksionu njëfarë shteti ligjor, njëfarë procesi i drejtësisë, i cili dosjen e ka. Po të garantoj unë ty, në këtë emision, e ka prej shtatorit të vitit të kaluar, me krejt eksponentët me zbërthim në detaje, cilat veprime i kanë bërë, cila është biografia e tyre” – tha ai.

Këtë informacion ai tha se po e bën publik pasi që nuk po mund të durojë më gjatë.

Në garë për Kryeprokuror të Shtetit është Blerim Isufaj, i cili është nominuar me 11 vota për nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Pas votimit dhe aprovimit të prokurorit Blerim Isufaj nga Këshilli Prokurorial, emri i tij ka shkuar te presidentja e vendit për dekretim, dhe është në pritje të vendimit të saj.

KALLXO.com kontaktoi me Isufajn lidhur me deklaratën e Konjufcës, por ai tha se nuk ka koment.

“S’komentoj deklarata. Unë e kam punën time” – tha ai.

Blerim Isufaj aktualisht udhëheq Prokurorinë Speciale, e cila është e mandatuar t’i ndjekë krimet më komplekse.