
Konjufca në takim me Të dërguarin e Posaçëm slloven, e informon për aktualitetin politik në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur në takim Të dërguarin e Posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh, me të cilin diskutoi për aktualitetin në Kosovë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
Përmes një komunikate për media u bë e ditur se kryetari Konjufca e njoftoi Frangesh me aktualitetin politik në Kosovë, e cila sapo ka kaluar nëpër një periudhë fushate elektorale dhe Zgjedhjesh parlamentare, që do të përcaktojë legjislaturën e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Kryetari Konjufca shprehu vlerësim për raportet midis Republikës së Kosovës dhe Sllovenisë, duke i konsideruar ato të rëndësishme, sidomos në perspektivën e ambicieve tona të integrimeve evropiane apo anëtarësimit të vendit tonë në strukturat ndërkombëtare.” – thuhet në komunikatë.
Më tutje, sipas njoftimit, Konjufca shtoi se dy vendet tona ndajnë vlera, qëllime dhe interesa të përbashkëta.
“ …prandaj duke ruajtur angazhimin dhe gatishmërinë tonë duhet të përdorim të gjitha mundësitë për të thelluar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera në të gjitha drejtimet”.
Në komunikatë më tej potencohet se kryetari Konjufca e falënderoi Anzhej Frangesh për vizitën dhe për diskutimin e frytshëm, “që zhvillohet përbrenda kuadrit të partneritetit të vyer e të palëkundur midis vendeve tona”.
Më 09.02.2025, Kosova mbajti Zgjedhjet e rregullta parlamentare.
Ndërkohë që, nëpër Komuna të Kosovës po bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, në disa raste procesi është përcjellë me telashe teknike, që nga dita e Zgjedhjeve, më 09.02.2025, kur pak orë pas mbylljes së vendvotimeve KQZ-ja ka pasur probleme me platformën në procesimin e rezultateve.
Për këto zhvillime, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi gjatë një takimi me presidenten Vjosa Osmani, më 13.02.2025, tha se janë në pritje të një Raporti përfundimtar nga institucionet e Sigurisë.
Kurse, presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të votës së qytetarëve.
Sipas përditësimit të fundit, të bërë më 12.02.2025, në ora 22:12 të KQZ-së, janë numëruar 99.72% e votave për subjektet politike që morën pjesë në Zgjedhje.
Nga rezultatet aktuale preliminare që ka nxjerrë KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.84%, Partia Demokratike e Kosovës 22.05%, Lidhja Demokratike e Kosovës 17.67%, Koalicioni AAK-NISMA 7.45%, Lista Serbe 4.55%, Koalicioni për Familjen 2.26%.
Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.