Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca në takim me deputetët e Shqipërisë: Shtetet tona të veprojnë si një trup i vetëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim anëtarët e Komisionit për Çështjet Ligjore të Kuvendit të Shqipërisë, të prirë nga kryetarja Klotilda Bushka.

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar së në këtë takim u diskutua shkëmbimi i përvojave parlamentare, intensifikimi i bashkëpunimit, strategjinë e përbashkët politike, ekonomike dhe të sigurisë.

“Ne dëshirojmë që shtetet tona të veprojnë si një trup i vetëm, sepse interesat tona esenciale janë të përbashkëta”, ka thënë Konjufca në këtë takim.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Klotilda Bushka ka njoftuar Konjufcën për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes të dyja komisioneve parlamentare.

Bushka premtoi se Kosova, ashtu si deri më tani, do ta ketë mbështetjen e deputetëve dhe shtetit shqiptar në të gjitha organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtar, thuhet në komunikatë.

Konjufca ka theksuar se ka një hapësirë të konsiderueshme për ta thelluar në shumë fusha bashkëpunimin duke nënvizuar njëherësh domosdoshmërinë e takimeve të rregullta të komisioneve parlamentare në mënyrë që të hartojnë projekte të përbashkëta në interes të qytetarëve dhe shteteve tona.