Konjufca në Selanik, kërkon vendim pozitiv për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë konferencës ‘Nga Selaniku në Zagreb’ e cila po mbahet në Selanik, ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës në rrugën drejt integrimeve evropiane si dhe për të vazhduar me reformat në rrugën e integrimit evropian.

Konjufca ka bërë të ditur se ka kërkuar vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovar, “në mënyrë që mos të izolohet rinia nga perspektiva e saj”.

Mes tjerash, ai në njoftimin në Facebook, ka bërë të ditur se gjatë kësaj konference ka siguruar gjithashtu se zhvillimi ekonomik dhe social, fqinjësia e mirë dhe dialogu me Serbinë janë qëllimet afatgjatë të qeverisë së re për të kontribuar dhe siguruar paqen rajonale.

“Në kuptim të zhvillimeve të reja në rrugën evropiane kam përshëndetur metodologjinë e re të aprovuar nga Komisioni si dhe kam shprehur bindjen pozitive për samitin në mes të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkani Perëndimor në Zagreb gjatë majit 2020”, thuhet në postimin e ministrit Konjufca.