Konjufca në Rezallë: Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca sot ka bërë homazhe në kompleksin memorial në Rezallë të Skenderajt, për të përkujtuar 98 shqiptarët e vrarë nga forcat serbe 23 vite më parë.

Konjufca ka thënë se plagët prej këtyre masakrave janë ende të hapura dhe se sipas tij Serbia nuk po i dorëzon qindra trupa të tjerë të cilët janë të zhdukur me dhunë.

“Jemi këtu për të bërë homazhe për 98 martirët të cilët u masakruan prej forcave pushtuese të ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë 23 vite më parë. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë masakër, ashtu sikur edhe shumë masakra të tjera të Serbisë, është fakti që plagët janë ende të hapura. Para 6 muajve ne rivarrosëm këtu edhe të tjerë trupa të gjetur të këtyre martirëve, por Serbia nuk po i dorëzon qindra trupa të tjerë të cilët janë të zhdukur me dhunë dhe mbahen të fshehur pikërisht në ato vende nëpër të cilat kanë ngritur edhe poligone ushtarake”, ka deklaruar Konjufca, sipas komunikatës nga drejtoria për media e Kuvendit.

Në njoftim thuhet se kryeparlamentari ka theksuar nuk do të ndalet deri kur Serbia të japë përgjegjësi për gjenocidin e kryer dhe të dënohen kriminelët për të gjitha masakrat tjera që kanë ndodhur në Kuvend.

“Ne nuk do të ndalemi deri kur Serbia të japë përgjegjësi për gjenocidin e kryer dhe të dënohen të gjithë kriminelët për masakrën e Rezallës dhe të gjitha masakrat e tjera që kanë ndodhur në Kosovë. Lavdi martirëve të cilët e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, sepse pa gjakun e tyre dhe pa sakrificën e popullit të Kosovës nuk do të mund të vinte liria të cilën e gëzojmë sot, e as shteti i Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Sipas njoftimit të drejtorisë për media, kryetari i Kuvendit mori pjesë edhe në ceremoninë e organizuar me rastin e këtij përvjetori. ​

Sot janë mbushur 23 vite nga masakra në fshatin Rezallë të Skenderajt.