Glauk Konjufca në Reçak

Konjufca në Reçak: Serbia në vend se të kërkojë falje, po i mohon masakrat

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

Ai përmendi mohimin që kishte bërë masakrës së Reçakut, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq javë më parë.

Sipas tij, mbetet shqetësuese mohimi nga zyrtarë të lartë të Serbisë në vend që të kërkojnë falje për gjenocidin dhe krimin e bërë në Kosovë. Ai tha se Serbia nuk duhet të synojnë BE-në përderisa i mohojnë masakrat.

“Reçaku ishte ajo që e ngriti botën demokratike për të i dal në krah popullit të Kosovës. Pas masakrës së Reçakut më askush nuk kishte dyshim se cili ishte populli çlirimtar dhe liridashës e cili është shteti gjenocidal në Kosovë. Mirëpo, ata që i kryen masakrën e Reçakut dhe të gjithë masakrat nëpër Kosovë gjatë viteve 98-99 ende nuk kanë dal para drejtësisë. Ne kurrë nuk do të pushojmë, as të lodhemi duke kërkuar me ngulmë që të gjithë kriminelet e luftës që janë nga shteti i Serbisë dhe kanë qenë pjesë e forcave ushtarake e paramilitare të rregullta e të parregullta të vihen para drejtësisë dhe që Serbia të jep llogari për krimet e kryera në Kosovë”, tha ai.

“Ajo çka është aspak shpresëdhënëse në raport me Serbinë ka të bëjë me zyrtarët e lartë të Serbisë, jo që nuk po kërkojnë falje për atë që e kanë shkaktuar vetë por vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq ishte ai që në mënyrë monstruoze e mohoi pikërisht këtë masakër”, shtoi Konjufca.

Sot janë bërë 21 vite nga masakra në Reçak të Shtimës nga forcat serbe.

Gjatë ditës së sotme, qytetarë dhe zyrtarë të lartë të vendit kanë bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

Glauk Konjufca në Reçak – foto:kallxo.com
Glauk Konjufca në Reçak – foto:kallxo.com