Foto: RTV 21

Konjufca: Mesiq, mik i sinqertë i Kosovës

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili shoqërohej nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, si dhe bashkëpunëtorët.

Konjufca i ka uruar mirëseardhje në Mesiqit, duke e cilësuar si mik të sinqertë i cili ka shprehur gjithmonë përkrahjen e tij për Kosovën. Ai i shprehu gjithashtu mirënjohje Kroacisë mike për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë Kosovës.

”Dy vendet tona, si partnerë strategjikë, kanë marrëdhënie të forta miqësie dhe bashkëpunimi në shumë fusha me interes të përbashkët, përfshirë edhe atë të legjislativit”, ka thënë Konjufca.

Ky i fundit ka theksuar se Kroacia ishte dhe do të jetë edhe më tutje mbështetëse e fuqishme e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euroatlantike.

Ish-presidenti kroat dhe autori i librit “Si është rrënuar Jugosllavia”, Stipe Mesiq, pasi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen e përzemërt, riktheu në kujtesë ngjarjet që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë dhe përballjet e tij për Kosovën me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq.

”Jugosllavia ka mundur të shpërbëhet pa luftë, por politika shoviniste e Millosheviqit ishte ajo që iu shkaktoi tragjedi popujve joserbë në këto hapësira. Ai mendonte se do të arrinte ta gënjente botën për “të drejtën serbe”, por gënjeu veten dhe serbët. Serbët vazhdojnë ta urrejnë Millosheviqin jo pse shkaktoi gjithë ato luftëra të përgjakshme, por pse i humbi ato” ka thënë Mesiq./21Media