Konjufca: Mendimi im dhe i Kurtit për Ivanoviq është i njëjti, ai është kriminel

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot gjatë seancës i është përgjigjur deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra, e cila ka kërkuar të marrë një deklaratë nga Konjufca për politikanin serb Oliver Ivanoviq.

Konjufca ka thënë se mendimi i tij dhe kryeministrit Albin Kurti për Ivanoviqin është i njëjti siç ka qenë gjithmonë.

Ai ka thënë se Ivanoviq është dënuar dhe kualifikuar me kategorinë e kriminelit.

“Mendimi im dhe i kryeministrit Kurti për Ivanoviq është i njëjti, ai që ka qenë gjithmonë, asgjë nuk mund ta ndryshojë biografinë që e ka pasë politike, me të gjitha ato dëme që i janë shkaktuar popullit tonë janë evidente. Ne haptazi e kemi quajtur me emrin që i përket një njeriu që bën veprime të tilla dhe ai është dënuar dhe kualifikuar me kategorinë e kriminelit. Ky është edhe mendimi jonë, po po kriminel pa kurrfarë dyshimi”- ka thënë Konjufca.

Ndërsa, pas kësaj deklaratë të Konjufcës fjalën e ka marrë deputeti i LDK-së, Arben Gashi.

Gashi ka thënë se pajtohet me deklarimin e Konjufcës ndërsa ka cituar Kurtin në videon për Oliver Ivanoviq.

“Në videon të cilën e ka publikuar kryeministrit thotë “Oliver Ivanoviq luftoi për qytetin e tij”, dhe lufta e Ivanoviqit për qytetin e tij është masakra ndaj shqiptarëve, është masakra ndaj 32 shqiptarëve i përfshirë dhe i dënuar me vendim gjykatë nëntë vjet”- ka thënë Gashi.

Pas kësaj deklaratë, Konjufca prapë e ka marrë fjalën dhe ka sqaruar se çfarë mesazhi ka dashur të tentojë kryeministri Kurti në videon ku flet për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Ky është mendimi im, kryeministri vetëm ka dashur të thotë se ai njëri është vrarë nga Aleksandër Vuçiqit dhe kjo duhet të hetohet nga drejtësia jonë dhe drejtësia ndërkombëtare, kjo ma merr mendja është mesazhi që ai ka dashur të përçonte dhe këtë e ka përçuar”- ka thënë Konjufca.

Në përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kryeministri Kurti kishte dalë me një deklaratë.

“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike” – ka thënë Kurti.

Tutje, kryeministri i Kosovës ka thënë se i vjen keq që fajtorët për këtë krim, nuk janë dënuar ende.

“Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.” – ka thënë ai.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018.