Konjufca: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, nënshtrim ndaj Serbisë

Ish-deputeti i LVV-së dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në një konferencë për media e ka quajtur nënshtrim ndaj Serbisë, marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë nga ana e Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

“Ajo çka duhet të themi në fillim është të ja japim një definicion  dhe për mua është një nënshtrim pa njohje. Kjo është mënyra më e mirë që mund ta shprehim thelbin politik, që u arrit mes kryeministrit tonë dhe presidentit serb”, tha Konjufca.

Sipas tij, tërheqja e Hotit për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, i shkon për shtatit kërkesave të Serbisë.

“Tërheqja e kryeministrit Hoti prej njohjes është një lajm i keq për Kosovën, sepse kjo i bie që Qeveria jonë aktuale i shkon për shtati kërkesave të Serbisë për heqjen e njohjes nga rendi i ditës”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka shprehur mendimin se pa njohje nuk mundet të zgjidhet asnjë çështje mes Kosovës dhe Serbisë.

“E pamë se si në këtë proces të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, për herë të parë u hapë tema për resurset e Kosovës.  Për herë të parë një kryeministër kaq i papërgjegjshëm si Hoti u pajtua që Ujmani të jetë pjesë e dialogu”, tha Konjufca.

“Resurset e Kosovës janë të patjetërsueshme këtë e cakton edhe Kushtetuta dhe ai që mendon se mund t’i japë resurse Serbisë, ai e bën një krim të madh. Vetëm një ëndërr e ka Serbia, që ta heq kufirin në mes të Kosovës, pa e njohur shtetësinë”, shtoi më tej ish-ministri.

Ish-deputeti i LVV po ashtu tha se Hoti me këtë marrëveshje e ka shkelur Kushtetutën e  Kosovës.

“Nënshkrimi i Hotit në këtë marrëveshje e shkel Kushtetutën. Kjo është marrëveshje shumë të dëmshme, janë pika që i ka shtyrë përpara presidenti i Serbisë.  Ky është momenti i kur që ta kthejmë në qendër të vëmendjes mocionin kundër kësaj qeverisje”, tha Konjufca në fund.

Të premten Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve ekonomike.

Kujtojmë se Kryeministri Hoti të shtunën kishte bërë të ditur do t’i informojë deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilëve edhe do të ua dorëzojë zyrtarisht marrëveshjen  e nënshkruar në ShbA.

Kurse, sot Hoti ka kërkuar t’i mundësohet që në njërën nga seancat e ardhshme, të raportojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për Marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.