Konjufca: Kosova mbështet propozimin e ShBA-së për krizën në Venezuelë

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka deklaruar se e mbështet propozimin e ShBA-së lidhur me situatën e krijuar në Venezuelë për shkak të presidentit Nicolas Maduro.

“Republika e Kosovës mbështet kornizën e propozuar nga ShBA, lidhur me krizën në Venezuela. Shpresojmë që të dy palët të jenë konstruktive dhe të pranojnë propozimin, si rruga e vetme drejt një zgjidhjeje paqësore dhe demokratike”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social Twitter.

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar presidentin e kontestuar të Venezuelës, Nicolas Maduro dhe zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë për vepra penale që lidhen me trafikim të drogës.

Administrata e Trump të martën ofroi të fillojë heqjen e sanksioneve për Venezuelën nëse opozita dhe anëtarët e Partisë Socialiste të presidentit Nicolas Maduro formojnë një qeveri të përkohshme pa të, duke shënuar një zhvendosje në një politikë amerikane pasi që nuk ka arritur t’i japë fund pushtetit të tij, raporton Reuters.

Sipas propozimit të ShBA , Maduro dhe Guaido do të hiqnin dorë dhe nuk do të ishin pjesë e qeverisë të përkohshme.