Konjufca kërkon tërheqjen e motrës së Ganimete Musliut nga misioni diplomatik

Ministri i punëve të jashtme Glauk Konjufca i ka kërkuar presidentit të vendit, Hashim Thaçi që ta tërheq nga misioni diplomaten Fatmire Musliu, e cila mbanë gradën Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republikën Federale të Gjermanisë.

Fatmire Musliu e cila është motra e deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu ka qenë diplomate që nga viti 2009, dhe asnjëherë nuk është kthyer për të shërbyer në ministri.

“Mbështetur në nenin 93, pika 8 dhe nenin 84 pika 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 22 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës (GZ. Nr. 46/15 janar 2009), bazuar në nenin 10 (paragrafi 9) të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozoj tërheqjen nga Misioni nj. Fatmire Musliu, Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republikën Federale të Gjermanisë”, shkruan në kërkesën e Konjufcës për Thaçin të siguruar nga KALLXO.com.

 

Në vitin 2018, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli kishte marrë vendim që diplomates Musliu t`i vazhdohej edhe një mandat i tretë, duke e avancuar në pozitë.

Më 15 tetor, në vend se të kthehej në ministri, motra e deputetes së PDK-së nga shërbimi në Zvicër ishte transferuar për në Gjermani.

“ Znj. Fatmir Musliu, Ministër Këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bern/Konfederata e Zvicrës, në kuadër të lëvizjes paralele, transferohet me gradën e njëjtë diplomatike, në Konsullatë e Republikës së Kosovës në Frankfurt/Republika Federale e Gjermanisë”, thuhet në vendim.

 

 

Dje ministri Konjufca ka vendosur për ta kthyer në shtëpi kunatën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Ajmane Veselin si dhe vajzën anëtarit të kryesisë së PDK-së Migjen Kelmendit, Tefta Klemendi- Merran.

Më 20 shkurt të këtij viti, Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kishte shkarkuar 14 konsuj nga vende të ndryshme të botës, ndërsa më 3 mars Konjufca ka marrë vendim për shkarkimin e disa ambasadorëve duke përfshirë edhe ambasadoren në ShBA Vlora Çitaku.

Përveç Çitakun, Konjufca ka shkarkuar edhe Edon Canën, Lirim Grejçevcin, Shpend Kallabën, Mimoza Ahmetajn, Ylber Hysën si dhe Ramadan Avdiun.