Konjufca i shkruan Borrell-it: I kërkon lirimin e Nezir Mehmetajt nga burgu i Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca i ka shkruar përfaqësuesit të BE-së, Josep Borell në lidhje me arrestimin e Nezir Mehmetaj nga autoritetet serbe me 4 janar të këtij viti.

“Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij”, thuhet në letrën e Konjfucës për Borell.

Konjfuca kërkon nga Borell që të përdorë autoritetin e tij tek Serbia për ta liruar Nezir Mehmetajn.

Serbi, 30 ditë paraburgim për kosovarin Nezir Mehmetaj

Kjo është letra e plotë që Glauk Konjufca i ka shkruar Josep Borell:

I nderuari zoti Borell,

Po Ju shkruaj për të ngritur shqetësimet e mia për arrestimin e qytetarit kosovar, zotit Nezir Mehmetaj, nga autoritetet serbe.

Më 3 janar 2020, zoti Nezir Mehmetaj u arrestua nga autoritetet serbe në pikën kufitare midis Serbisë e Kosovës, në Merdare. Gjatë kohës së arrestimit, zoti Mehmetaj po kthehej nga qyteti i Nishit të Serbisë, ku ai e kishte shoqëruar nënën e tij për një ekzaminim mjekësor.

Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij.

Familja e zotit Mehmetaj ka deklaruar që Nezir Mehmetaj bashkë me familjen e tij të ngushtë ka jetuar në Zvicër rreth 30 vjet. Sipas avokatit, që e ka angazhuar familja e tij, i cili e ka përcjellë arrestimin e zotit Mehmetaj, Zyra e Prokurorit ka riintervistuar apeluesin, banor i Gjermanisë, dhe apeluesi nuk e akuzon zotin Mehmetaj si të përfshirë në këtë rast. Deklarata e apeluesit, që është në favor të zotit Mehmetaj, nuk i është paraqitur gjykatës kompetente në Beograd nga Prokuroria gjatë tre muajve të fundit. Meqë zoti Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë kohës në mbajtje, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm.

Përveç kësaj, zoti Mehmetaj është mbajtur për tre muaj pa asnjë rast të konfirmuar kundër tij, dhe përderisa provat në favor të tij nuk po konsiderohen, rasti qartazi paraqet shkelje të të drejtave ndërkombëtare te garantuara të njeriut.

Prandaj do t’Ju isha shumë mirënjohës nëse Ju do të përdorni autoritetin Tuaj që të ndërhyni, me qëllimin që zoti Mehmetaj të lirohet nga burgu i Serbisë.