Konjufca i propozon Qeverisë ta lë aplikimin për INTERPOL për vitin e ardhshëm

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar se që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, INTERPOL, të shtyhet edhe për një vit.

Sipas të parit të diplomacisë, Kosova ende nuk është gati për aplikimin në INTERPOL.

“Sipas analizave te brendshme në MPJ, gjendja nuk duket optimiste në krahasim me vitet e kaluara. Kosova do ta kishte të njëjtin rezultat edhe po të aplikonte këtë vit. Nëse jeni dakord, mund ta lëmë për vitin e ardhshëm, ku edhe votimi do të bëhet në Turqi”, ka thënë gjatë mbledhjes së dytë të Qeverisë, Glauk Konjufca.

“Me 1 dhe 2 mars kjo çështje vendoset. E ne duhet te veprojmë më urgjencë. Kjo është edhe këshilla e miqve dhe mbështetësve tanë. Ata na sugjerojnë që për takimin e këtij viti në Uruguaj ta shtyjmë për vitin e ardhshëm. Dështimet e njëpasnjëshme nuk janë të mira për Republikën tonë”, tha ai.

Në këtë mbledhje nuk është votuar për apo kundër këtij propozimi, por kryeministri Albin Kurti tha se do ta trajtojë me urgjencë dhe ta njoftojë kabinetin qeveritar për hapat në vazhdim.

Qeveria e Kosovës edhe gjatë vitit të kaluar kishte tërhequr aplikimin për në INTERPOL ndërsa në vitin 2018 dështoi t’i sigurojë votat e mjaftueshme p9r anëtarësim.

Mediat serbe: Kosova tërheq aplikacionin për Interpol

www.kallxo.com