Konjufca: Gjermania, aleati më i rëndësishëm i Kosovës  

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.  

Konjufca ka falënderuar ambasadorin Rohde për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.  

Në këtë kontekst, kryetari i Kuvendit theksoi se shteti gjerman është dëshmuar aleat dhe partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit, zhvillimit dhe integrimit, njoftoi Kuvendi i Kosovës. 

Ndërsa, tutje thuhet se ambasadori Rohde u shpreh se Kosova dhe Gjermania janë të lidhura ngushtë dhe miqësisht mes vete, duke konfirmuar vazhdimin e mbështetjes dhe angazhimit të përbashkët për perspektivën e Kosovës në familjen e shteteve evropiane.  

Gjatë këtij takimi u ritheksua gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë. 

Ditë më parë, Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka vënë bast se ai do të jetë ambasadori i fundit që pyetet për çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Dua të them se çështja e vizave do të thosha se në diskutimet publike, e thashë edhe dje, u tha edhe nga kancelari të premten e kaluar se na duhet liberalizim i vizave për Kosovën. Nuk dua të flas më tepër për këtë, së voni kam thënë në një intervistë se sigurisht se jam ambasadori i fundit të cilin ju do ta pyesni për viza”, u shpreh ai në emisionin “KALLXO Përnime”.

Ai tha se procesi i liberalizimit të vizave është zvarritur.

Intervista e plotë: