Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca flet për planin franko-gjerman

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë në Klan Kosova ka folur për planin franko-gjerman.

“Kush e ka lexu atë plan, esenca është kjo, nuk është se pajtohemi 100% me atë plan dhe ne i  kemi vërejtjet tona, po nëse ai është fruti e ka një bërthamë, e bërthama është me pranu sovranitetin e ndërsjellë Kosova me Serbinë”- ka thënë Konjufca.

“Tash kur Serbia po e sheh që po afrohet një zgjidhje me Kosovën, me ç’rast bashkësia ndërkombëtare, shtetet më të fuqishme evropiane si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pozicionimin e qartë. Do t’ia propozojnë Serbisë një plan i cili në thelb, nëse do ta përkthesh se çka i bie ai plan, është të heqë dorë në pretendimet e saj një herë e përgjithmonë ndaj Kosovës. Esenca është kjo”, tha Konjufca në Klan Kosova.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencë për media ka thënë se sjellja e Serbisë dhe situata në veri lidhet me refuzimin e shtetit serb ndaj propozimit franko-gjerman që lidhet me dialogun Kosovë-Serbi.

“Unë e thash shumë qartë se qëllimi i Beogradit është për ta maskuar refuzimin e planit, ata e kanë refuzuar këtë plan, këtë propozim dhe tani i bëjnë këto drama që nuk duhet të shndërrohen në tragjedi. Ajo çfarë ne kemi thënë është që në kuadër të propozimit ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur sepse konceptet, nocionet janë vlera për dallim prej dakordimeve të mëhershme që ishin për brenda ideologjisë së zgjidhjes së problemit”- tha Kurti.

Propozimi franko – gjerman është përmendur më 8 tetor, nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.