Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, 1 qershor 2021 - Foto: Kuvendi i Kosovës

Konjufca: Fëmijët janë e ardhmja e shtetit tonë

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, vizitoi SOS Fshatrat e Fëmijëve dhe Qendrën Burimore “Përparimi” në Prishtinë.

Sipas një njoftimi të Kuvendit, gjatë vizitës në SOS Fshatrat e Fëmijëve, Konjufca takoi fëmijët dhe shpërndau dhurata simbolike për ta.

Kryetari i Kuvendit tha se fëmijëve duhet t’u kushtohet kujdes i veçantë, ndërkohë që premtoi angazhim më të madh dhe të vazhdueshëm për rritjen e mirëqenies së tyre.

“Jemi të vetëdijshëm që ka shumë punë përpara. Është një punë që nuk kryhet kurrë dhe duhet të bëhet në baza të përditshme, sepse fëmijët janë e ardhmja e shtetit tonë”, tha nder të tjera ai.

Edhe në Qendrën Burimore “Përparimi”, kryetari Konjufca u takua me fëmijët që vijojnë mësimet në këtë qendër, ndërsa nga drejtueset e saj u njoftua me aktivitetet dhe kushtet që ofron Qendra Burimore “Përparimi” për fëmijët me nevoja të veçanta.

Konjufca, me këtë rast, bëri thirrje për një kujdes të shtuar ndaj fëmijëve dhe të drejtave të tyre, si dhe për solidaritet më të madh dhe për përpjekje të pareshtura që jetën e fëmijëve ta bëjmë më të hareshme dhe më të lumtur.