Konjufca: Fakti që Serbia po i shkel parimet na jep të drejtën të mos e hedhim hapin tjetër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia vazhdon t’i shkelë parimet e marrëveshjes duke mos e pranuar Kosovën si shtet dhe duke e penguar anëtarësimin e saj në institucionet e Bashkimit Europian.

Sipas Konjufcës, fakti që Serbia po i shkel këto parime i jep Kosovës të drejtën që të mos mund të hedh hapa tutje.

“Parimet nuk kanë afat. Nuk mund të thuhet se Serbia me Kosovën mund të sillet agresore dhe në një moment mund të bëhet fqinje e mirë. Çështjet konkrete mund të kenë afate. Problemi është se Serbia po i shkel parimet e marrëveshjes. Atë barazinë sovrane mes shteteve duke mos e pranuar Kosovën fare si shtet dhe e dyta pengimin e Kosovës për anëtarësim në institucionet e BE. Nuk mund të kesh barazi sovrane mes shteteve kur Ana Bërnabiq dërgon letrën për me e zhvlerësu marrëveshjen. Ne kemi subjektivitetin ndërkombëtar edhe pa Serbinë. Fakti që Serbia po i shkel këto parime, kjo na jep të drejtën që të mos mund ta hedhim hapin tjetër”- ka thënë Konjufca.

Këto deklarime, ai i bëri pas takimit që ka zhvilluar me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, më 09.07.2024.

Konjufca, ka përsëritur edhe sot rrezikun me të cilin mund të përballet Kosova për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.

Ai ka thënë se nëse Serbia mbetet pa u ndëshkuar për sulmin e 24 shtatorit në Bansjkë, do ta përsërisë skenarin e njëjtë me përmasa më të mëdha.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka përmendur edhe takimin që ka pasur javën e kaluar me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Nëpërmjet një statusi në Facebook, ai ka përkujtuar se pas më shumë se shtatë orësh diskutime, janë dakorduar për hapa konkret për disa çështje praktike. Megjithatë, emisari ka theksuar se nuk kanë arritur një përparim në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

Konjufca: Nëse nuk ndëshkohet, Serbia do ta përsërisë në përmasa më të mëdha skenarin e Banjskës