Glauk Konjufca, Foto: Facebook

Konjufca: Edhe unë konsultohem me Dejona Mihalin, por nuk marr urdhra prej saj

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, u është përgjigjur zërave kritikë nga opozita në lidhje me pretendimet se deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje po dirigjohen nga Dejona Mihali. Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ai ka pohuar se edhe vetë konsultohet me Mihalin, por ka mohuar se ajo i jep urdhra.

“Komitetet e bëjnë politikën e VV-së, e prodhojnë politikën profesionale të partisë. Politika profesionale e komiteteve është në bashkëpunim me deputetët se si t’i përgatisin fjalimet e tyre. Edhe unë konsultohem ndonjëherë me Dejona Mihalin, por nuk mendoj që ajo më jep urdhra mua-  thjesht bisedojmë dhe vijmë në konstatime të përbashkëta”- tha Konjufca, më 01.03.2024.

Ndërkaq, Shefi i Grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri tha që Lëvizja Vetëvendosje nuk është më parti, “por ka ushtarë të Dejona Mihalit”.

“Ky Kuvend më shumë është bërë i Dejonës, me një agjendë që nuk e di të kujt”.

Këto deklarata janë bërë temë diskutimi në opinionin publik pasi që disa media kishin shpërndarë fotografi nga seanca e Kuvendit të Kosovës e mbajtur më 29.02.2024, ku shihej deputetja e Vetëvendosjes Adriana Matoshi duke komunikuar me Mihailin.

Dejona Mihali është koordinatore e komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje.