
Mbledhja e Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit të Shqipërisë, 20.12.2024, Foto: Jetmir Hoxha/KALLXO.com
Konjufca e quan seancë historike, homologia e tij, Spiropali thotë se 'është e pamjaftueshme, duhet më shumë'
Në anën e majtë të sallës plenare kabineti qeveritar i Kosovës me kryeministrin Albin Kurti, dhe në anën e djathtë ai i Shqipërisë në krye me Edi Ramën, ka nisur seanca plenare mes dy kuvendeve.
Në krye të dy palëve, seanca e udhëhequr nga dy kryekuvendarët Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, nisi me intonimimin e himnit shtetëror të Kosovës, dhe atë kombëtar – himnin e Shqipërisë.
Në seancë e pranishme është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deputetë nga dy shtetet, deputeti shqiptar Shaip Kamberi e mysafirë të tjerë.
Konjufca e cilësoi këtë seancë si historike, pasi që po ndodhë për herë të parë në Kuvendin e Kosovës.
“Ky bashkim përbën më shumë se simbolikën mes institucioneve tona. Kjo seancë që ne jemi bashkë në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht”- tha Konjufca gjatë fjalës së tij, duke nisur këtë fjalim me sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, i cili ndodhi më 29.11.2024.
Kryekuvendari kosovar tha se Kosova dhe Shqipëria kanë ideale të përbashkëta, dhe po ashtu synojnë të njëjtën familje, “rrugën tonë të përbashkët europiane”.
Homologia nga Shqipëria, Elisa Spiropali nisi fjalimin e saj, tha që edhe pse është e lindur në Shqipëri, me shpirt është nga Prishtina e nga Gjakova.
“Jemi një gjak e një gjuhë. Ne që po takohemi jemi pak. Duhet të ishim më shumë. Aq shqiptarë sa ka bota. Nuk ka problem që nuk na zë kjo sallë. Na zënë sallat tjera. Ose pllajat tona…”- tha Spiropali.
Në fjalimin e saj, ajo tha se duhet të takohen sa më shumë së bashku “derisa Adem Jashari të lëvizë në varr”.
Spiropali tha që i sheh si akte të ulëta sulmet në veri të vendit nga Serbia që e mbajnë në makth Kosovën, duke e quajtur Serbinë si “gjarpër i sapo zgjuar”.
Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë po mbajnë një seancë të përbashkët më 20.12.2024.
Mbledhja e përbashkët do të përmbyllet me fjalime të Albin Kurtit dhe Edi Ramës.
Kjo është hera e dytë që Kuvendet e dy vendeve mbajnë seancë të përbashkët. Herën e kaluar, deputetët u bënë bashkë në ambientet e Kuvendit shqiptar për shënimin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 2022.
Ndërsa, mbledhja e përbashkët e dy Qeverive, e planifikuar për 14 qershor 2023, ishte anuluar njëanshëm nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, një ditë para se mbledhja të mbahej.
Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pati ‘kushtëzuar’ takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama me mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.
Mbledhja e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është mbajtur më 20.06.2022.