Konjufca e ndërpren seancën – Nuk ka kushte për të vazhduar

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ndërprerë punimet e seancës së Kuvendit, pasi sipas tij nuk ka kushte për të vazhduar më tutje.

Konjufca ka thënë se një pjesë e opozitës po insiston që seanca të bllokohet dhe për këtë arsye siç tha ai, do të vazhdojnë javën e ardhshme.

“Seanca e sotme shkoi si shkoi, me këtë bllokim që mua mu duk krejt i paarsyeshëm, meqenëse nuk mendoj se ka pasë lidhje kjo seancë me temën për të cilën sot edhe u protestua por edhe është bllokuar seanca. Për shkak se nuk shoh edhe kushte të vazhdojmë sepse një pjesë e opozitës po insiston që kjo seancë të bllokohet, e vazhdojmë javën e ardhshme kur do që e shohim që kemi mundësi”, ka deklaruar Konjufca.

Kryeparlamentari ka paralajmëruar deputetët që seancat e Kuvendit nuk do të mund të bllokohen për shkak të betejave të tyre politike.

“Po ju paralajmëroj që seancat e Kuvendit nuk do të mund të bllokohen pafundësisht apo për shkak të betejave tona politike që i kemi. Megjithatë principi i shtetit është funksionimi i tij, funksionimi i demokracisë dhe në kuadër të saj funksionimi i Parlamentit është çelësi i saj themelor”, u shpreh Konujfca.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës në pjesën e dytë të seancës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se nuk do të trajtohet asnjë pikë e seancës pa u trajtuar çështja e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Edhe në pjesën e parë të seancës së sotme, deputeti Abelard Tahiri ka hequr nga funksioni mikrofonin e foltores së Kuvendit të Kosovës.

PDK ka kërkuar të anulohet seanca e sotme e Kuvendit dhe sipas PDK-së nuk duhet të mbahen seanca gjersa të zgjidhet çështja e veteranëve.

Në oborrin e Kuvendit, kanë protestuar veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protestuesit po kërkojnë që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

OVL-UÇK në vazhdimësi kanë kundërshtuar mospërfshirjen e veteranëve në Ligjin për paga.