Kuvendi

Konjufca e Musliu përplasen për punësimet familjare në institucione

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca doli me një propozim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, pas debateve të deputetëve të opozitës në lidhje me punësimet e familjarëve në institucione publike.

“Çka jeni 120 (deputetë), kush e ka qoftë edhe një familjar në institucione publike, që merr rrogë prej buxhetit të shtetit, mos me fol hiç? Unë mendoj që nuk është asnjë”, ka propozuar Konjufca.

Më pas, Konjufca ju drejtua deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ganimete Musliu, duke i thënë se ajo e ka të punësuar motrën në shërbim të jashtëm.

“A ka qenë pranimi i motrës tënde profesional në shërbimin e jashtëm të Kosovës, nëse Gane mendon që motra jote është pranu në mënyrë profesionale nuk ke të drejtë të flasësh fare në Kuvend”, ka thënë Konjufca.

Ganimete Musliu është kundërpërgjigjur duke thënë se motra e saj është shkolluar në Gjermani por është kryqëzuar me faktin që ‘është motra e Ganimetes’.

“Këta zotërinjtë e juaj, dajë, nipat, mbesat, tezet, baxhanakat, këta janë profesionistë ekselentë dhe i kanë plotësu kriteret e konkursit. Kur janë familjarë tanë, kryqëzohen, ndërsa kur janë familjarë të juaj e quani rastësi. Ju e keni kriju këtë standard, tash duroni. Ti i ke 5 a 6 nëpër institucione ndërsa unë e kam vetëm një në rrethin tim familjar të ngushtë dhe të gjerë”, ka thënë Musliu.

Glauk Konjufca më pas ka replikuar ndaj Musliut duke thënë se ai dëshiron të vë në pah kundërthëniet dhe argumentet që pretendohen të jenë të vërteta por janë gënjeshtra.

“Vjet isha ministër i Punëve të Jashtme  dhe kur shkova i gjeta me radhë, drejtori im ishte vëllai i shefit të grupit parlamentar të LDK-së, zv. Drejtor ishte vëllai i ish ministrit të shëndetësisë tash që po e luan këtu rolin te LDK dhe po e zëvendëson shefin e grupit shumë shpesh. Kurrë nuk i kam përmend me emra sepse nuk është në nivelin tim”, ka thënë kryeparlamentari.

Konjufca ka thënë se ai mund ta sjellë listën e familjarëve të punësua që arrin deri tek niveli i dhëndrit, vjehrrit, motrave e vëllezërve .

“Po të betohem në vajzat e mia Gane, 150 familjarë të opozitës t’i dërgoj me listë. Kur mendoj që është shkelje e ligjit e dërgoj në Agjencinë Antikorrupsion”, ka thënë Konjufca.