Konjufca: Drejtësia e vlefshme po aq sa liria

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe tek lapidarët e martirëve në fshatrat e Pejës, Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan.

Në këto fshatra më 14 maj të vitit 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kishin vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë shqiptarë të Kosovës.

Pasi vendosi lule te lapidari me emrat e 44 të vrarëve në fshatin Qyshk, kryeparlamentari Konjufca, tha se shteti serb 22 vjet më parë ka kryer aktet e gjenocidit, si në këtë fshat, ashtu edhe në fshatrat dhe lokalitetet tjera gjithandej nëpër Kosovë.

“Familjarët e martirëve tanimë 22 vjet kanë jetuar me peshën e rëndë të mungesës së drejtësisë. Prandaj, është detyrë e institucioneve që sa më parë t’i mbledhim të gjitha provat për këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato të jenë pjesë e ndërtimit të argumenteve për padinë, e cila do t’i bëhet Serbisë për gjenocid. Drejtësia është e vlefshme po aq sa liria”, tha Konjufca.

Pas Qyshkut, kryetari i Kuvendit, bëri homazhe dhe vendosi lule edhe te varrezat e 14 të rënëve në fshatrat Pavlan dhe Zahaq, ku para familjarëve të tyre, tha se që nga shkurti i vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999, Serbia ka kryer në Kosovë mbi 300 masakra, duke vrarë mbi 14 mijë shqiptarë të Kosovës.

Konjufca bëri homazhe edhe në varrezat e fshatit Llabjan, ku prehen trupat e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati.