Konjufca: Dialogu të mos ndikojë në integritet territorial dhe të përfundojë me njohje

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca,  në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka njoftuar për vendosjen e reciprocitetin dhe largimin e tarifës ndaj Serbisë e Bosnje e Hercegovinës.

Konjufca ka kërkuar nga Serbia që për ta lehtësuar procesin e dialogut, të heqë barrierat jo tarifore, të tërheqë strukturat paralele si dhe të ndalojë fushatën e çnjohjeve.

“Serbia duhet t’i heqë barrierat tregtare jo tarifore, të ndalojë fushatën e çnjohjeve si dhe tërheqjen e strukturave paralele që veprojnë në Kosovë. Daçiq po shkon te disa shtete duke thënë që dialogu është për çështjen e statusit të Kosovës. Kemi kërkuar nga Daçiq dhe Serbia që menjëherë ta ndalë këtë fushatë.”, tha ai.

Sipas tij dialogu duhet të përfundojë me njohje dhe jo alternativa të tjera.

“Dialogu i ndërtuar në barazim i cili nuk ndikon në integritetin territorial të shtetit tonë, synon t’i përmirësojë raportet me Serbinë e që do të rezultojë me njohje të dyanshme”, tha ai.

Sipas tij deri më tani ‘Serbia po dështon ta kuptojë një fakt të thjeshtë se Gjykata Ndërkombëtarë e Drejtësisë e ka parë ligjshmërinë e Pavarësisë së Kosovës që është e pakthyeshme”.

“Sa më shpejtë që Serbia ta kuptoj këtë sa më shumë benifite do të ketë, si për ne, si për Serbinë ashtu edhe për rajonin”.

Konjufca po ashtu ka kërkuar lirimin e qytetarët të Nezir Mehmetaj i cili është duke u mbajtur në burg në Serbi.

“Një prej veprimeve të fundit është arrestimi i Nezir Mehmetaj më 3 janar. Për shkak se Z. Mehmetaj vuan nga diabeti gjendja e tij është duke u keqësuar, andaj apeloj nga ju që të kërkoni lirimin e Mehmetajt nga burgjet e Serbisë”, tha ai.