Konjufca dënon djegien e veturës së nënkryetarit të Kuvendit Simiq
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar aktin e djegies së veturës së nënkryetarit të Kuvendit, Sllavko Simiq, mbrëmë në Leposaviq.
Konjufca konsideron se “akte të tilla kriminale, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe duke shkatërruar pasurinë e qytetarëve të Kosovës, përbëjnë shkelje të rëndë të rendit e të ligjit dhe si të tilla janë të dënueshme”.
“Inkurajoj organet e rendit dhe të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur sa më shpejt rastin dhe për të venë para përgjegjësisë ligjore autorët e tij”, thuhet në reagimin e kryekuvendarit.
KALLXO.com ka raportuar sot, se vetura private e deputetit të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Sllavko Simiq, është përfshirë nga flakët në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes në Leposaviq.
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila e ka quajtur shqetësues lajmin për djegien e veturës private të deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Edhe misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar për veturën private të deputetit Simiq.
OSBE ka bërë thirrje për një hetim të shpejtë në mënyrë në zbatim të ligjit e që si rrjedhojë të zbardhet rasti.
“Misioni i OSBE-së në Kosovë ka kuptuar me shqetësim se një automjet që i përket Slavko Simiq, anëtar i Kryesisë së Listës Serbe dhe Kuvendit të Kosovës, u dogj gjatë natës në Leposaviq. Ne bëjmë thirrje për një hetim të shpejtë të zbatimit të ligjit që do të përcaktojë sfondin e incidentit dhe do të zgjidhë çështjen”, thuhet në reagimin e organizatës.