Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konjufca: Deklarata ime për ambasadën në Izrael u keqkuptua

Ish-ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë se deklarata e tij në lidhje me vendosjen e ambasadës së Kosovës në Izrael ishte keqkuptuar.

Ai në ‘Telegrafi’ ka thënë se Kosova me asnjë veprim e asnjë gjest nuk duhet ta rrezikojë njohjen nga Izraeli.

“Ajo deklarata që e kam thënë është keqkuptuar absolutisht. Rishqyrtimi është kur ulesh, edhe e rishqyrton. Por, unë mendoj që Kosova nuk do të hyjë në BE, deri në vitin 2030 së paku, për këtë jam i bindur, është një spostim prej 10 viteve, i një problemi me të cilin nuk kemi nevojë na me u marrë shumë, në kuptimin e stërhollimeve. Edhe me i bo reformat më të mira, 2028-2030 është afati më optimist”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, marrëveshja për ambasadën në Jerusalem ka qenë jashtë standardeve se si ndërtohen marrëdhëniet diplomatike në mes të dy shteteve, pasi që sipas tij, marrëveshja ka qenë e kushtëzuar me ambasadë.

“Njohja ka qenë në shkëmbim të vendosjes së ambasadës nga shteti nikoqir. Njohja besoj se është absolutisht e rëndësishme dhe duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë si shtet i Kosovës. Këtë e ka për detyrë diplomacia. Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundshme për ta ruajtur njohjen prej Izraelit”, u shpreh Konjufca. “Njohja ka ardhë në një moment të rëndësishëm për Kosovën, në momentin kur kishte çnjohje”, ka deklaruar Konjufca.