Foto: KALLXO.com

Konjufca: Brenda 2 javësh përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë së re

Ka përfunduar takimi i radhës i grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për harmonizimin e programit rreth bashkëqeverisjes së mundshme.

Pas takimit ka folur nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Ai tha se pret që brenda 10 ditësh ose 2 javësh do të përfundojnë negociatat për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Konjufca tregoi se në takimin e sotëm është biseduar enkas për shëndetësinë dhe arsimin.

“Mund të them që ka qenë një takim i cili është zhvilluar në një pajtueshmëri shumë të thellë të bashkëpunimit. Është një takim në të cilin kemi pasur pajtueshmërinë më të madhe. Diku për secilën fushë janë trajtuar së paku 10 tema thelbësore dhe në të cilat kemi gjetur pajtueshmëri të plotë. Mund të them që mospajtimet kanë qenë sa i përket çështjeve teknike dhe kohore se për sa kohë jemi në gjendje t’i realizojmë premtimet”, theksoi Glauk Konjufca.

Tutje, ai shtoi se ende nuk e kanë caktuar takimin në të cilin do të flitet për ndarjen e dikastereve në rast të formimit të Qeverisë nga VV dhe LDK.