​Konjufca: BE-ja të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë për normalizimin e raporteve me Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka denoncuar përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë në shtator të këtij viti dhe i bëri thirrje Bashkimit Europian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Këtë Konjufca e ka thënë gjatë punimeve të Konferencës së 11-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Europës Juglindore, me temë diskutimi “Procesi i integrimit europian të vendeve të Europës Juglindore”.

“Në këtë kontekst, denoncova edhe një herë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator të këtij viti dhe njëherësh i bëra thirrje Bashkimit Europian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, thelbi i të cilit normalizim duhet të jetë njohja reciproke si dy subjekte sovrane dhe të pavarura, ashtu edhe siç përcaktohet në  Marrëveshjen e Brukselit”- ka shkruar Konjufca në “Facebook”.

Konjufca thotë se ka theksuar progresin që Kosova ka bërë në procesin integrues, përmes një plani kombëtar reformash integruese ku, sipas tij, Kuvendi ka luajtur rol të rënëdësishëm në miratimin e disa ligjeve.

“Po ashtu, theksova progresin që Republika e Kosovës ka bërë në procesin integrues, përmes një plani kombëtar reformash integruese, ku Kuvendi i Kosovës ka luajtur rol krucial në miratimin, ndryshimin dhe plotësimin e një game të gjerë ligjesh dhe ristrukturimesh të kuadrit institucional në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian”- ka thënë Konjufca.

“Republika e Kosovës e sheh Bashkimin Europian si një bashkësi politike ku respektohen vlerat demokratike, liritë dhe të drejtat, sovraniteti dhe integriteti territorial i anëtarëve të saj”- shton kryeparlamnetari.

Kryeparlamentari theksoi se në konferencë, përveç delegacioneve të parlamenteve të rajonit, po merr pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Olivèr Várhelyi, si mbështetje për aspiratat euro-integruese të vendeve të Europës Juglindore që janë në proces integrimi.

Në konferencë, Konjufca thotë se shtetet aspiruese për integrim kanë mundësi të shkëmbejnë pikëpamje dhe përvoja për procesin integrues, veçanërisht nga këndvështrimi i kontributit të parlamenteve në mbështetjen e agjendës së reformave që shtetet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt BE-së.