Konjufca abstenon për Ligjin për paga në sektorin publik

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka abstenuar për Ligjin për paga në sektorin publik.

Konjufca ngriti dorën për të abstenuar gjatë votimit në lexim të dytë të këtij projektligji, i cili erdhi në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.

Kryeparlamentari gjatë seancës së Kuvendit nuk është deklaruar për qëndrimin e tij.

Projektligji për paga sot mori 63 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

Në votimin e leximit të dytë të Projektligjit për paga deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u deklaruan që nuk e votojnë këtë projektligj për shkak se ndër të tjera ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit që përcakton pagat.

Ndërsa, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu tha se në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal kur po trajtohej ligji pagave, u shpërfillën amendamentet dhe kërkesat e sindikatave që marrin pagë nga buxheti i Kosovës.

Haxhiu deklaroi se me përkushtim u votuan amendamentet e Qeverisë.

Sipas draft ligjit, ky ligj parashihet të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët.

Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.