Konjuca: Walker ishte zëri kumbues i të vërtetës për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ish-ambasadorin amerikan, William Walker, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e përvjetorit të masakrës së Reçakut.

Sipas një komunikate për media të Kuvendit, Walker e uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i dëshiruar suksese në këtë detyrë.

Ndërkaq, Konjufca falënderoi për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës edhe ecjes së saj në rrugën e zhvillimit të përgjithshëm.

Më tej thuhet, se Konjufca vlerësoi se ambasadori Walker, “ashtu siç ishte dikur zëri kumbues i të vërtetës për Kosovën, sot vazhdon të jetë përfaqësuesi kryesor i zërave për vënien në vend të drejtësisë për masakrën e Reçakut dhe masakrat e shumta të kryera nga shteti serb”.

Kryeparlamentari Konjufca dhe ish-ambasadori Walker thuhet se diskutuan edhe për zhvillimet politike në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe sfidat që atë e presin në të ardhmen.  ​

KALLXO.com ka raportuar sot se Walker është takuar edhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të cilin e ka këshilluar për formim sa më të shpejtë të qeverisë së re.

Walker në Vetëvendosje: Ngutuni bëjeni qeverinë