Kongresisti Amerikan, Brad Sherman, Foto: KALLXO.om

Kongresisti amerikan: Gjashtë shtetasit turq në mënyrë sekrete u ekstraduan nga Kosova në Turqi

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi para dy viteve, është bërë temë diskutimi në Kongresim Amerikan të martën.

Kongresisti Brad Sherman, i cili është anëtar i Komitetit për Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, në seancën dëgjimore të Kongresit Amerikan, ka përmendur ekstradimin e shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

Ai tha se gjashtë shtetasit turq u arrestuan në Kosovë dhe në mënyrë sekrete u ekstraduan në Turqi.

“Pas përpjekjes për grusht-shtet më 2016, Erdogani i fajësoi përkrahësit e Gulenit dhe gjashtë shtetas turq u arrestuan në Kosovë dhe në mënyrë sekrete u ekstraduan në Turqi. E dimë që ka pasur akuza të rreme nga qeveria turke dhe si pasojë gazetarë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe politikanët e ndërlidhur me Gylenin dhe të tjerët që dëshironin të shohin shkallë më të lartë të demorkacisë ose janë arrestuar ose janë vërë në trysni”, theksoi ai.

Gjatë këtij diskutimi, edhe ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright tha se është shumë e shqetësuar me sjelljen e Turiqsë dhe aktivitetet qe po i ndërmerr presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.

“Roli i Erdoganit është shumë shqetësues në shumë aspekte në raportet me Greqinë, në Ballkan dhe çka po mundohet të bëjë në Lindje të Mesme”, tha ajo.

Në Kongresin Amerikan po mbahet seancë dëgjimore me temën “Ballkani: Rekomandimet politike për Administratën e ardhshme”. Kjo seancë po drejtohet nga kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.

Dëbimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Truqi në mars të viti 2018 është konsideruar si shkelje e të drejtave të njeriut nga grupi punues i OKB-së për ndalimet arbitrare.

Sipas këtij grupi punues privimi nga liria i gjashtë shtetasve turq ishte arbitrar dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut, përkatësisht të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë, të drejtën e gjykimit të drejtë, të drejtën e ankimimit dhe të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes.

Ndonëse janë bërë më shumë se dy vite që nga depërtimi i Kahraman Demirez, Mustafa Erdem, Hasan Hüseyin Günakan, Yusuf Karabina, Osman Karakaya dhe Cihan Özkan, organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se organet e drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet për zbardhjen e këtij rasti.

Në mëngjesin e 29 marsit 2018, në rrethana krejtësisht misterioze Cihan Ozkan, Kahraman Demirez, Hasan Husein Gunakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Jusuf Karabina u arrestuan e më pas u deportuan për në Turqi.

Arrestimi i gjashtë shtetasve turq u bë nga institucionet e Kosovës, ndërsa operacioni për deportimin e tyre, nga ekspertët e fushës u vlerësua se u përcoll me një “mal shkeljesh ligjore”.