Konfrontohen vëzhguesi i VV-së dhe ai i Nismës

Përderisa kanë mbetur edhe pak kuti për t’u rinumëruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty kanë vazhduar përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nismës Socialdemokrate.

Në QNR gjatë ditës janë përleshur komisioneri i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti, me atë Nismës Socialdemokrate, Endrit Zabërgja, i cili është nipi i liderit të kësaj partie, Fatmir Limaj.

Të dy situatën se si ka rrjedhur e kanë treguar në Facebook, duke e hedhur fajin te njëri-tjetri.

Vëzhguesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Hoti ka thënë se nipi i Limajt e ka fyer në baza familjare.

“Ata që kanë vjedhur deri tash Kosovën me tenderë, me afera korruptive, me kilentelë tash po duan të ndërhyjnë në vota që po ju duhen për mbijetesë politike. Populli i ka ndëshkuar dhe kjo e vërtetë nuk mund të mohohet. Në këtë lloj presioni u gjenda edhe unë si vëzhgues me ç’rast nipi i Fatmir Limajt filloi të më fyej në baza familjare, dhe unë i reagova, mirëpo aty nuk pati asnjë konfrontim fizik”, ka thënë Hoti.

“Tendenca për t’u viktimizuar vjen vetëm pasi po i njëjti po kërcënonte vëzhguesit e QNR-së. Ne jemi të vendosur të mbrojmë votën cilado qoftë ajo dhe ashtu do të vazhdojmë”, ka shtuar Hoti në një postim në Facebook.

Në anën tjetër, Zabërgja, ka thënë se VV-ja po bënë sulme ndaj kësaj partie, pasi që sipas tij u anuluan votat nga Serbia.

“Tinëzarët qyqarë të Vetëvendosjes, të cilët nuk po mund ta kontrollojnë mllefin që u shkaktua nga anulimi i votave SRPSKA, po e manifestojnë me sulme nga mbrapa sepse ju mungon guximi për ballafaqim direkt dhe me argumente. Në pamundësi për të grabitur mandate, ata në QNR po synojn të vjedhin vota duke tentuar ti bëjnë votat tona të pavlefshme, përderisa rinumërimi është afër përfundimit. Matrapazë hipokrit, kaq e patët për QNR, shihemi në përballjet tjera politike!”, ka shkruar Zabërgja në Facebook.

Se ka ndodhur një incident në QNR e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot kemi pranuar informatën se rreth orës 09:30  ka qenë një mosmarrëveshje e cila ka ndodhur në mes të dy personave në QNR në Fushë Kosovë. Njësitet policore kanë dalur në vendngjarje dhe në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë veprimet e nevojshme procedurale”, ka thënë Ahmeti.

Megjithatë, ky nuk është incidenti i parë mes vëzhguesve të këtyre partie gjatë procesit të rinumërimit.

Javën e kaluar, vëzhguesi i Nismës, Behar Amërlllahu, i cili ka qenë asistent i ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala është përjashtuar nga procesi i rinumërimit që po bëhej në QNR, pasi koordinatori i kësaj qendre, Burim Ahmetaj ka thënë se ai ka përdorë gjuhë kërcënuese dhe fyese ndaj tij.

Kjo parti po ashtu kishte akuzuar anëtarët e VV-së në KQZ se po i bëjnë presion vëzhguesve të Nismës duke ndërhyrë dhe duke kapur fletëvotimet.

Ndërsa, Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot ka vazhduar rinumërimi i 1,407 vendvotimeve, pas vendimit të PZAP-së. Pas 8 ditë rinumërim në QNR sot deri në orën 16:00 janë numëruar mbi 73 për qind e të gjitha kutive me vota.

Ky rinumërim ka nisur të mërkurën e kaluar pasdite pas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të VV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme e cila ia ka refuzuar.