Konflikti për bursë, studentja dënohet me gjobë pasi sulmoi kolegen

Gjykata në Gjilan ka shqiptuar dënim me gjobë prej 300 euro ndaj F. B., e cila ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën G. B. pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me fitimin e bursës nga e pandehura.

Sipas dosjes së Gjykatës derisa e dëmtuara ishte duke pirë kafe me kolegë dhe profesorin, e njëjta fillimisht bisedon me profesorin, e më pas niset për të dalë, por e sulmon fizikisht nga prapa të dëmtuarën G. duke e kapur për flokë.

Me këtë rast, e pandehura ka kryer veprën penale “sulm”, i inkriminuar sipas KPRK-së, neni 184, sipas dosjes së gjykatës së shpallur më datë 09.03.2023

Gjykata konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore për shqiptimin e urdhërit ndëshkimor dhe dënimin me gjobë, duke i marrë parasysh provat si; deklarata e të pandehurës, komunikim në facebook mes të dëmtuarës, deklarata e të dëmtuarit, raporti i oficerit, video-incizim nga kamerat e sigurisë, si dhe shkresat tjera të lëndës.

E dëmtuara u udhëzua të drejtohet në kontest civil, lidhur me kërkesën pasurore-juridike.