Foto: KALLXO.com

Konflikti pas largimit të cungjeve nga rruga, dështon seanca e gjykimit për vrasje në tentativë

Në mungesë të të akuzuarve, Rinor Xhaferi dhe Bekim Xhaferi, të hënën në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet gjykimi për vrasjen në tentativë.

Gjykatësja e rastit,  Ajser Skenderi, theksoi se dy të akuzuarit janë ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Lidhur me këtë, kundër të akuzuarve Gjykata lëshoi kërkesë për sjellje.

Seanca e radhës u caktua për më 13 mars 2023.

Sipas aktakuzës, Rinor Xhaferi akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.

Sipas Prokurorisë, më 20 maj 2017, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme, lidhur me rrugën dhe largimin e cungjeve prej rrugës, nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, i akuzuari Rinor Xhaferi së bashku me babanë e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Agron Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushte, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin Agron Sopaj në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit, afër zemrës, dhe një herë në regjionin e abdomenit.

Për këto veprime, Rinor Xhaferi akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Ndërsa, Bekim Xhaferi, akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin, me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, Bekim Xhaferi, akuzohet se ka kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.

Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nëngjurit të majtë dhe lëndime të tjera.

Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime, ai akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale – lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor.

Kujtojmë se në tetor të vitit 2018, Rinor Xhaferin, Gjykata e kishte shpallur fajtor për veprën – lëndim i rëndë trupor dhe e kishte dënuar me 15 muaj burgim.

Kurse, Bekim Xhaferi ishte shpallur fajtor për veprën pjesëmarrje në rrahje dhe ishte dënuar me 3  muaj burgim.

Ndërsa, Agron Sopaj ishte shpallur fajtor për veprat – lëndim i rëndë trupor dhe lëndim i lehtë trupor. Për lëndim të rëndë trupor, Sopaj ishte dënuar me gjashtë muaj burgim kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.

Por, pasi që palët kishin ushtruar ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019 e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndryshe, fillimisht këtë lëndë e kishte gjykuar gjyqtari Xheladin Osmani, mirëpo pas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit Agron Sopaj, gjyqtari Osmani me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjyqtarja Ajser Skenderi.