I akuzuari Granit Elshani sot në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Konflikti mes familjeve Elshani dhe Kelmendi, nesër deklarohet në gjykatë Granit Elshani  

Procesit gjyqësor për një ndër ngjarjet me të bujshme në qytetin e Pejës, është duke i ardhur fundi.

Gjykata e Pejës pritet që shumë shpejt të marrë një vendim ndaj Granit Elshanit, i cili akuzohet lidhur me incidentin e janarit të vitit 2010, ku nga plumbat u vra një person e tre të tjerë u plagosën.

Besart Shabi ishte vrarë ndërsa tre persona të tjerë përfshirë policin Hasan Buçaj dhe qytetarët Valdet Kelmendi dhe Arta Bardhi ishin plagosur në këtë përballje publike në mes familjeve Elshani e Kelmendi.

Me 25 tetor të vitit 2016 Granit Elshani ishte vetëdorëzuar në stacionin e policisë në Pejë pas disa vitesh në kërkim pas ngjarjeve në diskotekë.

Për pretendimet të prokurorisë, në maj të vitit 2018 Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim.

Mirëpo vendimi i Themelores nuk e mori aprovimin e Gjykatës së Apelit, pasi ajo vendosi që këtë çështje ta kthejë në rigjykim.

Tani në rigjykim ka mbetur që të deklarohet vetëm edhe i akuzuari Granit Elshani, ku pas fjalës përfundimtare të palëve në procedurë, Gjykata e Pejës do të shpallë vendimin për këtë çështje.

Në seancën e sotme gjyqësore i akuzuari Elshani, ka kërkuar që mbrojtjen ta japë ditën e nesërme, ndërsa është dëgjuar eksperti mjekoligjor Naim Uka.

Eksperti tha se deri të konstatimi për lëndimet trupore të policit Hasan Bucaj,  ka ardhur duke u bazuar në shkresat e lëndës që i janë ofruar nga ana e Gjykatës, ndërsa  ka shtuar se tash pas 10 viteve është shumë e vështirë të jepet ndonjë rezultat kredibil e profesional pas ekzaminimit eventual fizik të Bucajt.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së të akuzuarit Elshani, avokates Kosovare Kelmendi, ai  tha se qitësi në raport me policin ka qenë në anën e djathtë të viktimës.

Sipas ekspertit drejtimi i hedhjes së predhës ka qenë nga anash djathtas dhe nuk mund të këtë qenë ndryshe duke e përjashtuar mundësinë para apo pas.

Seanca e nesërme pritet të vazhdoje më deklarimin e të akuzuarit Granit Elshani.

Sipas aktakuzës  për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por ishte plagosur Besart Shabi që kishte qëlluar afër tij.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Përmbajtja e deklaratës së Valdet Kelmendit të vrarë për konfliktin e familjeve Elshani dhe Kelmendi