Ilustrim

“Konflikt interesi”, kërkohet rishqyrtimi i emërimit të profesorëve në Fakultetin Filozofik

Tre profesorë-asistentë dhe një asistente në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, rrezikojnë t’i humbasin pozitat në të cilat ishin avancuar dhe riemëruar brenda institucionit më të lartë universitar në vend.

Një konkurs i datës 31.05.2023 në Fakultetin Filozofik mund të anulohet ose kthehet në pikat fillestare pasi Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit gjeti konflikt të interesit në emërimin, riemërimin dhe avancimin e personelit akademik.

Opinioni përmend katër kandidatë, tre nga të cilët ishin emëruar profesorë-asistentë dhe një prej tyre asistente. Bëhet fjalë për Dorajet Imerin, Mentor Hasanin dhe Avdyl Gashin, të cilën mund të shohin anulimin e titullit profesor-asistent në Fakultetin Filozofik ndërsa, Natyra Agani atë të asistentes.

I gjithë procesi nisi në kuadër të një hulumtimi të KALLXO.com, i cili filloi disa muaj më parë. Ky hulumtim nisi mbi procedurat e rekrutimit të konkursit të majit të vitit 2023, në të cilin anëtarët e Këshillit të Fakultetit Filozofik morën pjesë në vendimmarrje të konkursit ku vetë ishin zgjedhur në pozita akademike.

“Ekziston konflikti i interesit, lidhur me konkursin nr.01/331 të datës 31.05.2023 për emërimin, rimërimin dhe avancimin e personelit akademik në Fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”- thuhet në opinionin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) i cili mban datën 08.08.2024.

Ky institucion ka kërkuar gjithashtu rishqyrtimin e vendimit për avancimin dhe riemërimin e Dorajt Imerit, Mentor Hasanit, Avdyl Gashit dhe Natyra Aganit.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me secilin prej emrave të përmendur në opinonin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Avdyl Gashi nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike të redaksisë. Të njëjtit i është dërguar edhe një mesazh me pyetje, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikim të këtij artikulli.

Ndërsa, Dorajet Imeri, Mentor Hasani dhe Natyra Agani kanë thënë se ende nuk e kanë pranuar opinionin e APK-së.

“Në lidhje me pyetjen tuaj, dua të konfirmoj se kam qenë dhe mbetem që procesi i ngritjes dhe avancimit tim të jetë vetëm bazuar në ligj” – ka thënë Dorajet Imeri më 16.08.2024.

Madje, Mentor Hasani mohoi të ketë pasur ankesë ndaj tij.

“Jo, nuk e kam pranuar vendimin ende, ne jemi në pushim gjithashtu. Unë tash po e marrë dhe po vika shumë keq. Ndaj meje realisht nuk ka pasur ndonjë ankesë, por ka pasur kolegë tjetër që kanë qenë në konkurencë me të tjerë. Ne nuk e besoj që kemi marrë pjesë në votim, mbledhjet bëhen online” – ka thënë Hasani më 16.08.2024.

Kurse Agani që synonte riemërimin si asistente, u rezervua të flas pa e pasur në duar opinionin e institucionit.

“Unë nuk kam njohuri për një gjë të tillë, ndoshta se jemi edhe në pushim. Ndoshta isha rezervu me komentu mbi të, nuk e di përmbajtjen, kur te kem atë vendim do të deklarohem” – ka deklaruar Natyra Agani më 16.08.2024.

Dorajet Imeri, Mentor Hasani, Avdyl Gashi dhe Natyra Agani, për të cilët APK kërkon ryshqyrtim të vendimin për avancim dhe riemërim kishin qenë anëtarë të Këshillit të Fakultetit Filozofik. Por të njëjtit po ashtu kishin qenë kandidatë në konkursin e datës 31.05.2023.

Imeri, Hasani, Avdyli dhe Agani, sipas opinionit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kanë marrë pjesë në votimin e raporteve të Komisioneve vlerësuese gjatë mbledhjes së Këshillit të Fakultetit Filozofik të datës 27.06.2023. Ata po ashtu kishin qenë pjesëmarrës në dy mbledhje të tjera relevante të Këshillit në këtë proces emërimi.

Komisionet vlerësuese në Fakultetin Filozofik kishin propozuar për emërim Dorajet Imerin si profesor-asistent për lëndët: Shkrim akademik dhe mendim kritik, Metodat kualitative dhe kuantitaive në shkencat politike, Globalizimi dhe integrimet rajonale, Modelet e demokracisë, Aministratë pulbike krahasuese, Qeverisja elektronike.

Mentor Hasani ishte propozuar si profesor-asistent për lëndët: Histori botërore moderne I, Histori botërore moderne II, Histori ekonomike e ballkanit XIX-XX dhe Shqiptarët nën administrimin e perandorisë Osmane.

Avdyl Gashi ishte propozuar si profesor-asistent për lëndët: Hyrje në sociologji, Shkrim akademik, Puna sociale me familje dhe Puna vullnetare.

Ndërsa, Natyra Agani ishte propozuar për riemërim në titullin Asistente për lëndët: Psikologji zhvillimore I, Çrregullime psikologjike tek fëmijët dhe adoloshentët, Psikologji zhvillimore II, Interenimet kognitive bihejviorale, Psikologji klinike, Intervenimet në komunitet, Parimet e psikoterapisë dhe këshillim me femijë dhe adoloshentë.

Më 26.06.2023, Këshilli i Fakultetit Filozofik kishte miratuar raportetet e komisioneve vlerësuese për t’u shpallur në boletin. Sipas të dhënave, në këtë mbledhje të Këshillit raportet ishin votuar me 21 vota pro, dy vota kundër dhe një abstenim.

Sipas opinionit të APK-së, anëtarët e Këshillt të Fakultetit Filozofik nuk kanë pasur të drejtë të përfshihen në vendimmarrje, diskutim dhe votim lidhur me procesin e avancimit dhe riemërimit të tyre.

“Bazuar në procesverbal, dëshmohet pjesëmarrja në mbledhje për Dorajet Imeri, Avdyl Gashi, Mentor Hasani dhe Natyra Agani, të njëjtit kanë marrë pjesë në votim për miratimin dhe dërgimin e raporteve vlerësuese për t’u shpallur në buletin. Pjesë përbërëse të tyre ishin edhe raportet e Komisionit vlerësues për avancimin dhe riemërimin e tyre” – thuhet në opinionin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit të datës 08.08.2024.

Neni 4 i Rregullores të UP-së për Punën e Këshillit të Fakultetit, që është në fuqi ndalon pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit në raste të konfliktit potencial të interesit.

Ky nen decidivisht thotë se “1. Anëtari i Këshillit të Fakultetit konsiderohet se ka konflikt interesi nëse paraqiten rrethanat e përcaktuara me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit dhe Statutin e UP-së. 2. Anëtari në konflikt interesi duhet ta lëshojë mbledhjen gjatë kohës kur çështja në të cilën ai ka konflikt interesi diskutohet”. 

KALLXO.com është duke hulumtuar në tërësi konkursin e datës 31.05.2023.

Ndaj këtij konkursi, për pjesën e emërimeve në Fakultetin Filozofik, janë duke u zhvilluar hetime nga Policia dhe Prokuroria e Kosovës.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë në ndërmarrjen veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Prishtinës të datës 15.04.2024.