Aparatet e konfiskuara në aksionin e policisë, Foto: Policia e Kosovës

Konfiskohen aparate të lojërave të fatit, armë, drogë e para në aksionin e policisë në Prishtinë e Drenas

Tre persona janë arrestuar për organizim të lojërave të fatit dhe për mbajtje të armëve pa leje.

Policia e Kosovës ka njoftuar se 35 vjeçari D.E., 34 vjeçari A.E. dhe 22 vjeçari me inicialet A.F., janë arrestuar pas një operacioni të zhvilluar gjatë ditës së djeshme në pesë lokacione të ndryshme në rajonet Prishtinë dhe Drenas.

Operacioni i zhvilluar gjatë ditës së djeshme ka rezultuar me arrestimin e tre të dyshuarve pasi dyshohet se në lokalet e të njëjtëve organizoheshin dhe zhvilloheshin lojëra të fatit.

Policia gjithashtu ka sekuestruar disa prova materiale gjatë operacionit të ditës së djeshme.

14 aparate të lojërave të fatit, dy lojëra KENO, një lojë me qen, një shtëpizë kompjuteri, një DVR, 1 mijë e 477 euro, katër komplete letra dhe zare pokeri, një telefon, janë konfiskuar gjatë ditës së djeshme.

Të dyshuarit, gjithashtu po dyshohen edhe për mbajtje pa leje të armëve ndërsa gjatë aksionit janë konfiskuar edhe dy armë zjarri, dhjetë fishekë të armëve si dhe substanca narkotike të llojit kokainë.

Në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit pas intervistimit, ka marrë vendim që të njëjtit të dërgohen në mbajtje dhe të vazhdohet më pas procedura gjyqësore.

Aparatet e konfiskuara në aksionin e policisë, Foto: Policia e Kosovës