Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konfirmon Sami Kurteshi: Albin Kurti do të kandidojë në listën e Vetëvendosjes

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi, ka konfirmuar në emisionin “KALLXO Pernime” se kreu i partisë së tij, Albin Kurti, do të jetë pjesë e listës së LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Albin Kurti ka me kandidu. Ai është njeriu më i votuar në Kosovë. E ka pas vetës besimin e qytetarëve. Aktgjykimi nuk e prek Albin Kurtin. Në listë do të hyjnë njerëz që kanë marrë numër jashtëzakonisht të madh të votave, që janë ndër njerëzit me të votuar në Kosovë e që gëzojnë besimin qytetar. Nuk kemi asnjë arsye të vetëm që këta të mos jenë në listë”, u shpreh ai.

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme më 14 shkurt.

Kurse, sot, në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.

Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Arianit Elshani nga PDK, Ibrahim Selmanaj nga AAK, Sami Kurteshi nga LVV dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.