Konfirmon IPK: Polici u suspendua për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm

Një zyrtar policor është suspenduar në orët e mbrëmjes së sotme me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Në një pergjigje për KALLXO.com, IPK ka thënë se polici u suspendua nën dyshimin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

“Hetuesit e IPK-së i kanë asistuar sot Policisë së Kosovës në realizimin e një urdhërese  kontrolli të Gjykatës në Gjilan. IPK ishte ftuar në këtë rast pasi që urdhëri i  kontrollit përfshinte edhe shtëpinë e një zyrtari  policor në Viti”, thuhet në përgjigjen e IPK për KALLXO.com.

IPK ka thënë se veprimet e tjera hetimore do të ndërmerren në këtë rast bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit dhe koordinimit me prokurorinë.

KALLXO.com raportoi se dy Kallashnikovë e katër armë të shkurta si dhe rreth 500 fishekë janë gjetur në shtëpinë e djalit të një zyrtari policor të stacionit policor në Viti.

Burime të KALLXO.com brenda Prokurorisë kanë njoftuar se fillimisht rasti ka nisur nga një postim në Facebook të djalit të zyrtarit policor, i cili shihej në një fotografi me dy Kallashnikovë në dorë.

Prokuroria në Gjilan ka lëshuar një urdhëresë për bastisjen e shtëpisë së personit i cili shihej në fotografi ndërsa rezultoi se i njëjti është djali i një zyrtari policor në Viti.

Tutje burime të KALLXO.com kanë treguar se brenda shtëpisë së djalit të policit janë gjetur dhe konfiskuar dy Kallashnikovë, katër revole, rreth 290 fishekë të kallashnikovëve dhe rreth 190 fishekë të revoleve.

Gjithashtu, siç tregojnë burimet e KALLXO.com, në afërsi të shtëpisë së zyrtarit policor janë gjetur edhe disa gëzhoja.

Prokuroria në Gjilan ka urdhëruar që arma e zyrtarit policor të konfiskohet në mënyrë që të ekzaminohet nëse plumbat i përkasin armës zyrtare apo ndonjërës prej armëve të tjera që janë gjetur në shtëpinë e djalit të policit.

Tutje KALLXO.com mëson se djali i policit nuk gjendej në shtëpi gjatë bastisjes ndërsa polici është intervistuar në cilësinë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Ende nuk është sqaruar siç mëson KALLXO.com nëse ndonjëra nga armët ka qenë me leje.