Konfirmon avokati i Fadil Fazliut: U arrestua para banesës së tij

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë, në një proces hetimor, që përqendrohet në vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë”.

Mëngjesin e sotëm, më 05.12.2024, nga ky operacion është arrestuar edhe vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu, Fadil Fazliu.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar avokati Skënder Musa, derisa tha se nuk posedon asnjë informacion në lidhje me arsyet e arrestimit.

“Pra kemi vetëm informacionin që është në procesim. Jo nuk e dimë për çka. Në bazë të Urdhëresës së Prokurorit Special nuk është dhënë asnjë njoftim: as për avokat, as për publik – kështu që nuk e dimë. Ne çka dimë është që është arrestuar, asgjë tjetër. Ai është arrestuar para banesës së tij. Ishte duke shkuar në punë.”- tha Musa.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me djalin e Fadil Fazliut, Fahriun i cili konfirmoi se arrestimi u krye rreth orës 8 të mëngjesit.

“Vetëm është arrestuar, nuk dimë asgjë se pse apo çfarë. Bastisje nuk ka pasur sot sepse siç edhe e dini bastisja kishte ndodhur para diku një viti. Kaq kemi aktualisht asnjë informacion tjetër”- tha Fahri Fazliu.

Sipas një komunikate për media të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, operacionet janë duke u kryer në kuadër të një procesi hetimor, që përqendrohet në veprën penale “kundër administrimit të drejtësisë”.

“Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX.” – thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), përmes një postimi në Facebook, tha se Gjykata Speciale ka arrestuar disa persona.

“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u dha lajmi për arrestimin e Isni Kilajt e Bashkim Smakajt. Por, sipas informatave që po më vijnë është arrestuar edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri e Bahri Fazliu.” – ka shkruar Klinaku në Facebook.

 

 

Shënim: Në shkrim në ora 11:51 është shtuar edhe deklarata e djalit të Fadil Fazliut, Fahri Fazliu në lidhje me arrestimin