Ilustrim

Konfirmohet vdekja e mjekut kinez që paralajmëroi për koronavirusin

 

Një mjek kinez, që u përpoq të nxirrte paralajmërimet e para për shpërthimin e koronavirusit të ri kinez, ka vdekur, konfirmoi spitali që e trajtoi atë, shkruan REL.

Li Wenliang u infektua nga koronavirusi derisa punonte në spitalin qendror të qytetit Vuhan.

Ai u dërgoi një paralajmërim mjekëve të tjerë më 30 dhjetor, por policia i kërkoi të mos bënte “komente false”.

Të enjten ka pasur raporte kundërthënëse për fatin e tij, por gazeta shtetërore kineze People’s Daily konfirmoi se ai ka vdekur në orët e para të së premtes, sipas kohës lokale.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë konfirmoi se 636 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në këtë vend, ndërsa mbi 31,000 janë infektuar.

Sa në të vërtetë i rrezikshëm është koronavirusi?

Koronavirusi shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe simptomat zakonisht fillojnë me ethe dhe kollë të thatë.

Dhjetëra vende të tjera të botës, përfshirë disa në Evropë, kanë raportuar raste me koronavirus.

Aktualisht nuk ka vaksinë për të.