Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës (IKSHPK). FOTO: Ministria e Shëndetësisë
Konfirmohet rasti parë me virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) me 07.08.2024 ka konfirmuar rastin e parë pozitiv të Virusit të Nilit Perëndimor (VNP) në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur në një njoftim të IKSHPK-së ku thuhet se bëhet fjalë për një pacient nga komuna e Fushë Kosovës që është i hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Bëhet fjalë për një pacient të gjinisë mashkullore, nga komuna e Fushë Kosovës, i hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së me datën 29.07.2024, për shkak të simptomave si lodhja dhe temperatura e lartë.” – thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
Sipas IKSHPK-së, pacientit i janë paraqitur simptomat pas kthimit nga Shqipëria, i cili ishte në pushime gjatë muajit korrik 2024.
IKSHPK- ja i njofton gjithashtu qytetarët se situata epidemiologjike është e qetë dhe sipas tyre, po përcillet me kujdes të shtuar.
Me 06.08.2024, IKSHPK-ja ka këshilluar qytetarët që të ndjekin rekomandimet e dhëna nga Instituti për të parandaluar rastet e Virusit të Nilit Perëndimor.
Nga korriku 2024, disa vende të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor kishin raportuar raste të Virusit të Nilit Perëndimor si: Spanja, Italia, Greqia, Austria, Hungaria, Franca, Serbia dhe, së fundi edhe Shqipëria.