Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Konfirmohet rasti i parë i "lisë së majmunëve" në Kosovë

Një 30 vjeçar nga Kosova i shtruar në Klinikën Infektive në QKUK, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, është konfirmuar me Mpox, e njohur si “lia e majmunëve”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), përmes një komunikate për media, bëri të ditur se pacienti është në gjendje stabile, derisa ka simptoma si: temperaturë, ethe, ndryshime në lëkurë, fytyrë, duar dhe kruarje.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës informon publikun se më 26. 12. 2024, në orët e pasditës, Laboratori i Mikrobiologjisë përmes metodës RT-PCR ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, e njohur më parë si ‘lia e majmunëve’.” – thuhet në njoftim.

“Rasti i gjinisë mashkullore, një 30 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK më 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si: temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje.” – thuhet më tej në njoftim.

IKSHPK më tej potencon se  “i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”.

IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, sepse “personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare, që zgjasin dy deri në katër javë dhe shërohen plotësisht.” – sipas Institutit.

“Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.” – thekson IKSHPK.