Konfirmohet aktakuza ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të tjerëve

Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës e ka konfirmuar akuzën për afera korruptive ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica.

Reçica akuzohet për dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, shpëlarje të parave dhe ushtrim ndikimi. Përpos tij në këtë rast akuzohen edhe tre zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini.

Lajmin për konfirmimin e aktakuzës ndaj tyre e ka bërë të ditur gjykatësi, Musa Konxheli.

“Departamenti Special i Gjykatës i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtësve për hedhjen e aktakuzës”, tha Konxheli për KALLXO.com.

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës akuzohet se kishte ushtruar ndikim tek anëtaret e komisionit në kohën kur ishite ushtrues detyre i drejtorit të Prokurimit brenda Ministrisë së Infrastrukturës.

Sipas prokurorisë ai kishte ndikuar tek anëtarët e komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të Autostradës së Gjilanit. Këtë vepër sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Madje, sipas aktakuzës Reçica i kishte kërkuar komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm (Pal Lekaj), e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Për të njëjtin tender Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t`u shpallur kompani e përgjegjshme.

Reçica akuzohet edhe se gjatë kohës sa ishte sekretar i Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të ministrisë edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes së cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të ministrisë.

Po ashtu sipas aktakuzës ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H. M. dhe A. B. t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar. Ky veprim sipas Prokurorisë e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.

Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpërlaje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë Audi F2 S7 sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e Autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.

Aktakuza kundër ish sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës është ngritur me datë 15 shkurt 2021.

Të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

Më shumë për rastin ndaj Reçicës dhe të tjerëve mund të lexoni KËTU dhe KËTU.