Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Konfirmohet aktakuza ndaj gjyqtarit Sali Berisha për marrje ryshfeti e armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria, ndaj gjyqtarit Sali Berisha i cili akuzohet për marrje të ryshfetit dhe armëmbajtje pa leje.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, gjyqtari i rastit Mentor Bajraktari.

“Po Gjykata ka konfirmuar aktakuzën ndaj gjyqtarit Sali Berisha”, ka thënë gjyqtari Bajraktari për KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar që të kontaktojë dhe avokatin e të akuzuarit Berisha, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Sipas Prokurorisë, më 19 shtator 2019, i akuzuari Sali Berisha ishte takuar me dëshmitarin F. Z., me të cilin kanë shkuar te vetura e dëshmitarit dhe pasi kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej 2 mijë eurove.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, për shkak se i akuzuari ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar për dy vepra penale të kontrabandimit me emigrant, ishte vëllai i dëshmitarit F.Z., në të cilin rast i pandehuri Sali Berisha ishte kryetar i trupit gjykues, ishte dakorduar që të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast Berisha ka marrë aktgjykimin me të cilin i ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej 3 vjet, me kusht që brenda 2 viteve të mos kryej vepër tjetër penale.

Po ashtu, Prokuroria akuzon gjykatësin Sali Berisha se deri më 19 shtator 2019 ka mbajtur armë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, një revole të tipit ‘Zaza Mini’, kalibri 8mm, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur kur i është bastisur banesa në Pejë.

Gjykatësi Sali Berisha, në dhjetor të vitit 2019, pas 3 muajve të qëndrimit në paraburgim, ishte liruar për të qëndruar në arrest shtëpiak.

Berisha është i dyshuar edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në një seancë të mbajtur në shtator, Berisha e ka quajtur këtë aktakuzë “të montuar”.