Konfirmohen dy raste me coronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë ka konfirmuar se dy persona janë prekur nga Coronavirusi në Shqipërisë.

Gjendja e dy të prekurve, babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë, sipas kësaj ministrie është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione.

“Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet”, thuhet në njoftimin e ministrisë të publikuar pas mesnatës. MSHMS i ka bërë thirrjen qytetarëve që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t’i përgjigjen çdo rasti.

MSHMS u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë rigorozisht rregullat e higjenës, sipas njoftimeve që kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.

Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që t’u referohen vetëm burimeve zyrtare për marrjen e informacionit. MSHMS do të vazhdojë të ofrojë informacione të përditshme mbi situatën dhe masat e marra.