Konfirmohen 4 rastet e reja me coronavirus, 3 nga Malisheva dhe një nga Podujeva

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka njoftuar se katër raste të tjera janë konfirmuar pas ri-testimit dhe kanë rezultuar se janë të prekur me coronavirus.

Ministri Vitia me anë të një njoftimi ka thënë se pacientët me coronavirus janë tre nga komuna e Malishevës dhe një nga Podujeva.

“Para pak minutash bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste reja pozitive me virusin SARS-CoV-2 (coronavirus). Tri raste nga komuna e Malishevës, që të tre  persona kontakti të një pacienteje të diagnostikuar pozitive me COVID-19, me datë 14.03.2020 dhe rasti i katërt  është personi nga komuna e Podujevës. Përfshirë edhe rastet e mëhershme, tani më në Kosovë kemi të konfirmuara 9 raste pozitive me COVID-19”, thuhet në njoftimin e ministrit Vitia.

KALLXO.com raportoi nga burimet e saja për rastet e reja të cilat u ri-testuan pasi në testet e para dolën se janë prekur me coronavirus.

“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga Kryeministri, Albin Kurti, që t’i propozojë Qeverisë shpalljen e  emergjencës për shëndetin publik. Të dashur qytetarë ju ftojmë të bashkëpunojmë në menaxhimin e kësaj situate. Kjo duke ndjekur rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, si dhe duke qëndruar në shtëpitë tuaja, që të kujdesemi për shëndetit njëri-tjetrit. Reduktoni daljet veç në raste emergjente”, thuhet në njoftimin e ministrit.