Foto: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Konferenca për Ukrainën, ministrja Gërvalla udhëton nga New Yorku për në Montreal

Pas seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla- Schwarz, ka udhëtuar për në Kanada për të marrë pjesë në konferencën kushtuar Ukrainës.

Atje, ministrja e Jashtme e Kosovës po merr pjesë në Konferencën Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes 10-Pikëshe të Ukrainës, e cila po mbahet nga 30-31 tetor 2024 në Montreal, Kanada.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Konferenca është organizuar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, në bashkëpunim me ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide, dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha.

“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”- shkruan MPJD.

Sipas Ministrisë, synimi kryesor i kësaj konference është të zhvillojë masa konkrete për kthimin e robërve të luftës, civilëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe fëmijëve të deportuar ukrainas në vendin e tyre, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut”.

Më 30.10.2024, në seancën e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, u shqyrtua raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë.

Përfaqësuesja e Kosovës në seancën e radhës e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministrja Gërvalla-Schwarz i ka reaguar ashpër ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq.

Ky e fundit e quajti Kosovën gjatë gjithë kohës si “Kosova dhe Metohija”, ndërkaq Gërvalla i reagoi duke i thënë se nuk ka vend në këtë botë që quhet ashtu siç po i referohet Gjuriqi.

“Nuk ka vend në botë, në këtë glob që quhet ‘Kosovë e Metohi’, është Kosovo, Kosova, Republika e Kosovës, por që do të ishte e njëjta gjë të fillojë ta quajë… apo me ndonjë emër tjetër, por nuk do ta bëj këtë”- tha Gërvalla.