Konferenca në Glasgou shihet si “shpresa e fundit” për ndryshimet klimatike

Bota po përballet me momentin e fundit për të luftuar ndryshimet klimatike, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

Ai i ka bërë këto deklarata, ndërkohë që liderët botërorë janë mbledhur për të diskutuar në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Klimën, që po mbahet në Glasgou.

Duke folur për transmetuesin britanik, BBC, Johnson ka thënë se liderët duhet të kalojnë nga “aspirata në veprim” për të ngadalësuar ngrohjen globale.

Për herë të parë, Johnson ka konfirmuar se nuk dëshiron që të jetësohet një projekt i thëngjillit në Kumbria.

“Nuk jam në favor për më shumë thëngjill”, ka thënë kryeministri.

“Megjithatë, ky vendim nuk më përket mua, por autoriteteve që bëjnë planifikime”.

Mbretëria e Bashkuar është duke e mbajtur këtë samit, ndërkohë që rriten shqetësimet e shkencëtarëve se shtetet nuk janë duke bërë mjaftueshëm për të kufizuar emetimet e gazrave serrë, që kanë ndikuar në rritje të temperaturës mesatare globale.

Në Konferencën e Parisit për Klimën, të mbajtur më 2015, është kërkuar që temperatura mesatare të mbahet nën 2 gradë Celsius.

Bazat e Samitit për Klimën

  • Ndryshimet klimatike janë një prej problemeve më shqetësuese në botë. Qeveritë duhet të zotohen për të ulur sasinë e gazrave, në mënyrë që të parandalohet rritja e temperaturave globale.
  • Samiti në Glasgou konsiderohet vendi ku mund të merren vendime për ndryshime.
  • Ndryshimet klimatike mund të ndryshojnë jetët e njerëzve. Vendimet mund të prekin vendet tona të punës, mënyrën si ngrohim shtëpitë tona, si ushqehemi dhe si udhëtojmë.

Në hapje të samitit më 31 tetor, Patricia Espinosa, udhëheqëse e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Klimën, ka thënë se liderët qeveritarë përballen me dy zgjidhje: që të zvogëlojnë emetimet e gazrave serrë dhe t’iu ndihmojnë komuniteteve dhe shteteve që t’iu mbijetojnë ndryshimeve klimatike “apo të pranojnë se njerëzimi përballet me të ardhme të zymtë të planetit”.

Si Espinosa, ashtu edhe Johnson kanë theksuar urgjencën për këtë situatë.

“Ne duhet të bëjmë përparim këtu në Glasgou”, ka thënë Espinosa. “Ne duhet të shënojmë sukses”.

Johnson, në anën tjetër, ka thënë se “nëse Glasgou dështon, atëherë dështon gjithçka”.

Samiti për Klimën mbetet “mundësia e fundit, shpresa më e mirë për ta mbajtur temperaturën në 1.5 gradë Celsius”, ka thënë Alok Sharma, ministër në Qeverinë britanike që merret me çështje klimatike.

Shkencëtarët kanë thënë se mbajtja e temperaturës mesatare globale nën 1.5 gradë Celsius do të shmangë ndikimin më të keq klimatik.

Në deklaratën finale më 31 tetor, liderët e 20 vendeve më të industralizuara në botë (G20) kanë bërë thirrje për veprime “kuptimplota dhe efektive” për ndryshimet klimatike, mirëpo kanë bërë pak zotime konkrete.

Ndonëse liderët janë zotuar për të ndalur financimin për termocentrale jashtë vendit, ata nuk kanë ofruar afate kohore për të vepruar brenda vendeve që udhëheqin dhe nuk janë zotuar për të zvogëluar emetimet e metanit – një tjetër gaz i fuqishëm serrë.

Megjithatë, Johnson ka përmendur edhe disa përparime, duke marrë shembull Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë dyfishuar shpenzimet si ndihmë për çështje klimatike.

Konferenca për Klimën në Glasgou ka nisur më 31 tetor dhe vazhdon deri më 12 nëntor./REL.