Konferenca kundër dhunës në baza gjinore, pjesëmarrësit japin rekomandime për institucionet

Rekomandime, ide, kritika e përvoja personale u ndanë sot, më 26.11.2024, nga të pranishmit që morën pjesë në konferencën “Të Bashkuar Kundër Dhunës”.

Kjo konferencë u organizua nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të fushatës “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore”.

Përveç ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i pranishëm ishte edhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, dhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Në fjalën hapëse, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se kjo fushatë është e domosdoshme për ta luftuar dhunën.

“Nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit ekzistues janë krijuar mekanizma të qëndrueshëm për mbrojtjen e të mbijetuarve të dhunës, ndërsa institucionet tona janë më të përgatitura tash për t’iu përgjigjur nevojave të viktimave të dhunës” – tha Konjufca.

Ai tha se Kuvendi i Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka hartuar dhe ka miratuar nismën ligjore për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna e cila është në baza gjinore.

“Këtë jemi përpjekur ta harmonizojmë me Konventën e Stambollit. Ligji njeh lloje të ndryshme të dhunës, duke përfshirë lëndimin fizik, seksual, psikologjik ose edhe ekonomik, por edhe dhunën ndaj grave në politikë, ngacmimet e ndryshme si dhe ngacmimet seksuale në internet” – u shpreh kryeparlamentari.

Ai shtoi se janë të vetëdijshëm se përkundër të gjitha këtyre masave ligjore dhe institucionale, edhe plot fushatave të tjera vetëdijesuese që kanë ndodhur dhe po ndodhin, progresi nuk është i kënaqshëm, përderisa, sipas Konjufcës, rastet e dhunës ndaj grave nuk është që kanë pësuar rënie të ndjeshme.

“Kjo na bën të mendojmë që nevojitet një qasje holistike ndaj këtij fenomeni, përmes një strategjie të gjerë që i trajton të gjitha aspektet dhe faktorët që direkt apo indirekt ndërlidhen me këtë problematikë. Ne duhet të fokusohemi në zhvillimin e një edukimi të hershëm që i promovon vlerat e barazisë dhe respektit i cili mund të ndihmojë në ndryshimin e normave dhe heqjen e barrierave gjinore” – shtoi tutje Konjufca.

Konjufca gjatë fjalimit të tij po ashtu tha se ky fenomen nuk mund të luftohet vetëm me mekanizma institucionalë, pasi, sipas tij, nuk janë të mjaftueshëm por kjo është përgjegjësi e tyre e përbashkët.

“E kam thënë edhe më përpara, por nuk është kurrë e mjaftueshme me e përsërit që ky fenomen luftohet jo vetëm me mekanizma institucionalë. Pra, nuk janë të mjaftueshëm vetëm mekanizmat institucionalë, por kjo është përgjegjësi e përbashkët e shoqërisë. Secili prej nesh ka obligim special që të angazhohet dhe të punojë për një shoqëri të barabartë dhe pa dhunë” – theksoi më tej ai.

Pas kryetarit të Kuvendit, fjalë rasti mbajti edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Kosova ka bërë hapa përpara në shumë drejtime në luftimin e dhunës me bazë gjinore.

“Dhuna nuk është vetëm një akt, dhuna është një plagë që na sfidon si shoqëri. Një dështim politik që kërkon një përgjigje të guximshme dhe të vendosur. Ne jemi këtu sot për të thënë ‘Mjaft!’” – tha e para e Ministrisë së Drejtësisë.

“Mjaft me indiferencën! Mjaft me justifikimet! Mjaft me heshtjen që na bën bashkëfajtorë!” – vazhdoi tutje ajo.

Madje, ajo u shpreh se Kosova ka bërë hapa përpara në shumë drejtime, por suksesi si shtet matet më së shumti nga ajo që ne si institucione bëjmë për më të dobëtit dhe për më të pambrojturit.

“Sot dhuna në familje dhe dhuna në bazë gjinore vazhdojnë të jenë sfida tona të mëdha” – tha Haxhiu.

Sipas të njëjtës, çdo akt dhune që nuk ndëshkohet është një thirrje e heshtur për dhunën e radhës.

“Si ministre e Drejtësisë jam përkushtuar çdo ditë të mandatit tim për të siguruar që ligjet të mos jenë thjeshtë fjalë në letër, por armë të fuqishme kundër dhunës. Dhuna nuk është vetëm një problem i grave, një problem i cili duhet që të merren vetëm gratë ajo prek familjet, komunitetet. Duhet ta luftojmë deri sa ta eliminojmë këtë” – shtoi tutje Haxhiu.

Në anën tjetër, Atifete Jahjaga, ish-presidente Republikës se Kosovës, tha se vetëm të bashkuar mund t’i themi mjaft dhunës me bazë gjinore, vetëm të bashkuar mund të sjellim shpresë e mundësi për të gjitha ato gra që kanë përjetuar dhunë.

Sipas Jahjagës, 58 gra janë vrarë në 14 vitet e vetëm në periudhën prill-qershor 2024 janë 625 gra e vajza viktima të dhunës në familje.

Konferenca më pas vazhdoi më paraqitjen e videos së kampanjës “MJAFT”, ndërsa pas kësaj video u vazhdua me panelin e parë ”Gratë viktima të dhunës dhe rreziku i diskriminimit ndërsektorial”.

Kjo konferencë u përbë edhe nga tri panele të ndryshme, të cilat për temë kanë pasur dhunën ndaj grave, dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore nga perspektivat e profesioneve të ndryshme.

Paneli i parë u përbë nga Ariana Qosaj Mustafa, kryetare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Shpresa Agushi, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase, Bujar Kadriu, drejtor i Forumit të Aftësisë së Kufizuar të Kosovës dhe Arjeta Gashi, drejtoreshë e Shoqatës së Prindërve të Ndarë.

Paneli i dytë që për temë kishte lidhjen midis legjislacionit dhe zbatimit për të luftuar femicidin u përbë nga pesë penalistët Blerinda Idrizi, eksperte për politika publike, zhvillim institucional dhe politika gjinore, Kadri Gashi, ekspert për çështje gjinore dhe këshilltar profesionist, Marta Gazideda, menaxhere e Portofolit për Qeverisje dhe Ndërtim të Paqes Zëvendës Koordinatore e Programit, UNDP Kosova, Laura Pula, prokurore nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipe Gjocaj. specialiste për çështje gjinore dhe gazetare e pavarur.

Ndërsa pjesë e panelit të tretë me temë “Nga përkushtimi në veprim: Llogaridhënia dhe nxitja e transformimit shoqëror për të luftuar dhunën ndaj grave” ishin panelistë Naim Qelaj, Avokat i Popullit, Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Saxhide Mustafa, kryetare e Forumit Ekonomik të Grave të Kosovës.

Ndërsa në fund pati fjalë mbyllëse nga Donika Gërvalla Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Jonathan Hargreaves, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Punëve të jJashtme tha se sot në këtë konferencë është thënë shumë rreth kësaj teme dhe tha se është e sigurt që të gjitha kontributet kanë qenë të asaj natyre që do të na ndihmojnë në të ardhmen më shumë.

Ndërsa, Haxhiu u shpreh se secila prej paneleve kanë qenë me tema tejet të rëndësishme.

“Penalistët kanë ndarë përvojat e tyre dhe kanë ndarë rekomandime për t’u përmirësuar puna jonë” – theksoi ministrja.

Tutje ajo shtoi se u premton panelistëve që do t’i kenë parasysh rekomandimet e tyre dhe do t’i adresojnë në institucionet përgjegjëse.